Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi zhvilloi një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në kryeqytetin, Abu Dhabi, ai u takua me homologun e tij, sheikun Saif bin Zayed Al Nahyan. Çuçi shprehet se marrëveshja e bashkëpunimit mes dy vendeve është gati për t’u nënshkruar.

“Një bisedë e ngrohtë dhe miqësore me Shkëlqesinë e Tij Sheik Saif bin Zayed Al Nahyan, Ministër i Brendshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, me të cilin diskutuam për çështje të përbashkëta të sigurisë dhe të raporteve mes dy vendeve tona. Ndajmë sfida të përbashkëta, por edhe mundësi për të ardhmen. Jemi gati për nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe, për më shumë mundësi dhe efektivitet në luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër terrorizmit, por edhe për shkëmbim njohurish dhe modernizim të teknologjisë në Policinë e Shtetit”, thotë ministri Çuçi.

Sipas tij bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e sigurisë ka impakt edhe në zhvillimin e ekonomisë. Ministri Çuçi përmend gjithashtu liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë që duan të udhëtojnë drejt Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Bashkëpunimi ynë në këto fusha sjell impakt pozitiv edhe në drejtim të ekonomisë, për nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e mëtejshëm të turizmit. Në funksion të këtij sektori me interes të dyanshëm teksa kemi bërë tashmë një hap cilësor me fluturimet e linjave ajrore direkte, u dakordësuam edhe për lëvizjen e lirë pa viza të shqiptarëve drejt Emirateve të Bashkuara Arabe”, shprehet ministri Çuçi.