Ministria e Shëndetësisë i bën apel qytetarëve të vaksinohen sa më parë, për të mbrojtur veten dhe shëndetin e të tjerëve. Çdo qytetar mbi 16 vjeç, mund të vaksinohet në qendrën shëndetësore ose në pikën më të afërt të vaksinimit të përqëndruar. Vaksinat antiCOVID reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.

Vaksinimi është i hapur edhe për fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar, me rekomandim nga mjeku. Gjithashtu ka nisur vaksinimi me dozën e tretë për të gjithë qytetarët +18 vjeç që kanë kaluar 6 muaj nga kryerja e dozës së dytë. Nëse dyshoni se jeni i prekur nga COVID19 apo keni shenja të sëmundjes, izolohuni menjëherë dhe kontaktoni me mjekun tuaj të familjes për t’u testuar ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin unik 127.

Ju informojmë për situatën në 24 orët e fundit, si vijon: Janë kryer 3109 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID19, 325 qytetarë.

Janë 5333 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin. Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 139 pacientë, nga të cilët 12 janë në gjendje më të rënduar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit ka 3 humbje jete me SARS-COV2 pozitiv: një qytetar nga Fieri 75 vjeç, një qytetar nga Vlora 78 vjeç, një qytetar nga Tirana 80 vjeç.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve. Janë shëruar 355 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 197,055 që nga fillimi i epidemisë.