Agjencia Italiane e Barnave, AIFA, njoftoi se ka miratuar vaksinën kundër koronavirusit të Pfizer/BioNTech për fëmijët nga mosha 5 deri në 11 vjeç.

Fëmijët e kësaj grupmoshe duhet të marrin një të tretën e dozës së dhënë për adoleshentët dhe të rriturit.

Sipas këshillës së agjencisë, ata do të marrin dy doza të vaksinës me një distancë prej tre javësh.

Edhe pse simptomat e Covid-19 janë dukshëm më të lehta te fëmijët, AIFA vuri në dukje se vaksinimi ishte ende i dobishëm sepse u lejon atyre të shkojnë në shkollë dhe të marrin pjesë në aktivitete, të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin e tyre.

Sipas të dhënave të disponueshme vaksina ka rezultuar shumë efektive dhe e sigurt.

Në Itali, rreth 87,5 për qind e njerëzve mbi 12 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës Covid-19 deri më tani.

Dje, autoritetet raportuan rreth 15 100 infeksione të reja me koronavirus dhe pak më shumë se 100 vdekje brenda një dite.