Nga Vesna Pusic*
“Foreign Policy”

Gazetari legjendar boshnjak Boro Kontic, deklaroi kohët e fundit se Bosnje Hercegovina ndihet sikur po jeton “Ditën e Kastorit”, edhe pse dy dekada e ca e gjatë:nënshkruhen marrëveshje, ngrihen institucione, dorëzohen aplikimet për në NATO dhe BE, fitohen dhe humben zgjedhje, zhvillohen konferenca, ngrihen probleme, përgatiten raporte dhe më pas… asgjë.

Njezet e gjashtë vjet që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit – e cila pak e shumë iu imponua liderëve etnikë boshnjakë, kroatë dhe serbë, për t’i dhënë fund gjakderdhjes – çdo gjë po përsëritet vazhdimisht, sikur nuk ka kohë, pa kujtesë dhe histori.

Por ajo që e bën kaq të gjetur metaforën “Ditës së Kastorit”, është fakti se edhe ata që janë tëautorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së për të ruajtur paqen në mënyrë që Bosnja të ecëpërpara, duken të kënaqur që po e lënë vendin në këtë gjendje.

Pavarësisht parave të shpenzuara, përpjekjeve dhe kohës së investuar në shtet-ndërtim, sa herë që ka një mosmarrëveshje, politikë-bërësit duket se mendojnë se është e pranueshme qëta kthejnë vendin 26 vjet pas, kur ai sapo kishte dalë nga një prej konflikteve më mizore që nga Lufta e Dytë Botërore.

Disa zyrtarë po përpiqen që ta justifikojnë këtë, duke e quajtur një ”rikthim në Dejtoninorigjinal”. Ata që ishin fëmijë në kohën e rrethimit të Sarajevës, po i afrohen tashmë moshës së mesme. Ata kanë nevojë për një narrativë të re. Por në vend të saj, s’ka asnjë narrativë dhe asnjë realitet të ri.

Bosnja gjendet sërish në mesin e një krize të thellë, pasi një anëtar i presidencës së saj trepalëshe, udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik, po përdor një retorikë luftarake dhe po sulmon ashpër institucionet e brishta të Bosnjës, në një përpjekje flagrante për ta shkatërruar vendin.

Dodik është një fenomen interesant, por jo edhe aq i pazakontë. Në shumë aspekte, ai ngjan shumë me Victor Orban. Ashtu si kryeministri hungarez, edhe ai e nisi karrierën si një politikan demokrat, i zgjedhur dhe i promovuar nga Perëndimi. Por rrëshqiti gradualisht në nacionalizëm, dhe më pas në një nacionalizëm ekstrem.

Ashtu si Orban, ai u bë shumë i pasur gjatë qëndrimit të tij në politikë, gjë që çoi në mënyrë të pashmangshme në një qeverisje autokratike. Dhe ashtu si shumica e autokratëve në Evropën Lindore dhe Qendrore, ai kërkoi dhe gjeti mbrojtësit e tij në Rusi.

Dodik ka arritur me lëvizjet tij të fundit të sfidojë vetë ekzistencën e Bosnjës. Dallimi kryesor është se në dallim nga Orban, Dodik nuk ka një shtet. Kjo e bën pozitën e tij shumë më të pasigurt, por njëherazi më tërheqëse për lojtarët e jashtëm që synojnë të ndërhyjnë në çështjet e Ballkanit.

Më herët në karrierën e tij, kur mendonte se e ardhmja e tij ishte me Perëndimin, Dodik enjohu publikisht gjenocidin në Srebrenicë, u distancua nga kriminelët serbë të luftës, dhe u pozicionua si një mbështetës i vendosur i unitetit të Bosnjës, dhe i të ardhmes se vendit në Bashkimin Evropian.

Gjatë kohës që ndryshoi besnikëri, fillimisht tek presidenti serb Aleksandar Vucic dhe më pas ndaj Moskës, politikat dhe retorika e tij ndryshoi rrënjësisht. Dhe kjo gjë ndodhi gradualisht me kalimin e kohës. Sot, Dodik nuk është më vetëm një peng i politikës serbe.

Përkundrazi, është ai që po e mban peng politikën serbe.

Unë e vura re për herë të parë këtë gjë kur mora pjesë në një emision televiziv bashkë me të në Banja Luka në fillimin e viteve 2000. Në një moment, ne përfunduam duke diskutuar mbi futbollin, dhe befas Dodik tha se në një ndeshje midis ekipit më të njohur nga Serbia dhe rivales së saj në Bosnje, ai patjetër që do të bënte tifo për ekipin serb.

Duke qenë se futbolli në Ballkan nuk ka të bëjë asnjëherë vetëm me futbollin, edhe atëherë kur ai ende shihej ende si një aleat i Perëndimit, e pashë komentin e tij si një shenjë alarmuese të një ndryshimi të pozicionit të tij. Që atëherë, Dodik ka shërbyer si një agjent i politikës serbe në destabilizimin e Bosnjës, dhe si një plan rezervë për të qetësuar segmentin më nacionalist të opinionit publik serb, në rast se Serbia do të arrijë një marrëveshje dhe njohë pavarësinë e Kosovës.

Në atë rast, Serbia mund të përdorë politikat separatiste të Dodik për të justifikuar kërkesën e saj për aneksimin e Republika Srpska – një nga dy njësitë administrative që përbëjnë Bosnjën e pasluftës -si kompensim për humbjen e Kosovës. Në vetvete, Dodik është i parëndësishëm.

Guximi, arroganca dhe rëndësia e tij janë thjesht produkt i mbështetjes ruse. Siç e tha ai vetë kur kërcënoi për herë të parë me shkatërrimin e ushtrisë boshnjake, dhe hodhi idenë e një ushtrie të Republika Srpska:”Nëse do të përpiqet të na ndalojë dikush, ne kemi miq që do të na mbrojnë!”.

Kjo është arsyeja, pse të gjitha takimet e fundit të liderëve të vendeve anëtare të BE-së me Dodik kanë qenë disi patetike. Të gjitha lëshimet dhe kompromiset që ata ofrojnë – si reduktimi maksimal i autoritetit të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, largimi i 3 gjyqtarëve të huaj nga Gjykata Kushtetuese e vendit, apo qarkullimi i propozimeve që do të normalizonin ndryshimet e kufijve në Ballkan 0 nuk e kanë qetësuar Dodik apo retorikën e tij përçarëse.

Kjo për shkak se nuk është ai në fakt që mund të bëjë një marrëveshje me ta. Në të vërtetë, për destabilizimin e Bosnjës dhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, nuk mund të fajësohet vetëm Dodik apo ”zjarrvënësit” e tjerë lokalë. Ata janë thjesht agjentë në terren të politikëspërçarëse të Rusisë.

Përpara se liderët e BE-së të angazhohen diplomatikisht me Dodik apo sponsorët e tij në Kremlin, ata duhet të mendojnë me kujdes se çfarë kërkon saktësisht të përfitojë Moska nga destabilizimi i Ballkanit, dhe nëse ka një zgjidhje nga e cila mund të përfitojnë të dyja palët.

Për shumë vite, Rusia e trajtoi BE-në si një klub politik të respektueshëm, por kryesisht të padëmshëm. Kjo qasje ndryshoi në mënyrë dramatike pas vitit 2014. Në Samitin e Partneritetit Lindor në Vilnius të Lituanisë në vjeshtën e 2013-ës, BE nënshkroi marrëveshje speciale me Gjeorgjinë dhe Moldavinë, dhe në qershor 2014 me Ukrainën.

Që nga ai moment e tutje, Rusia filloi ta shihte si BE-në ashtu si NATO-n, një armike. Ato u pasuan nga lufta në Ukrainë dhe aneksimi i Krimesë. Reagimi i Perëndimit ishte vendosja e sanksioneve. S’ka dyshim se veprimet e Rusisë e meritonin një reagim të fortë. Por një pasojë ishte prishja graduale e komunikimit midis Rusisë dhe Perëndimit.

Njëherazi, politikat e Rusisë po bëheshin më agresive, më ndërhyrëse, më shkatërruese dhe më të rrezikshme. Kremlini e identifikoi Ballkanin Perëndimor si një shesh lojërash ideale për operacionet e tij të ndikimit dhe provokimeve politike, duke analizuar vazhdimisht se sa larg mund të shkonte, përpara se të reagonte Perëndimi.

Nga këndvështrimi rus, në këtë rajon Moska ka shumë përparësi:ai është relativisht i vogël, i ndarë midis shumë shteteve mjaft të varfra, dhe duke pasur parasysh historinë e tij të fundit, jo aq i vështirë për t’u destabilizuar. Po ashtu, është i rrethuar nga territori i BE-së dhe i mbushur me vende që aspirojnë t’i bashkohen unionit.

Prej disa kohësh BE e ka pasur problem që të flasë me një zë mbi politikën e saj të zgjerimit, e lëre më pastaj të ndërmarrë hapa konkretë drejt afrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor me unionin. Por Rusia nuk ka nevojë për Dodik apo politikanë të tjerë ballkanikë. Ajo që i nevojitet, është rihapja dhe rivendosja e kanaleve të komunikimit me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara.

Nëse do që të zgjidhë shumë nga problemet e saj, edhe BE-ja ka nevojë për këtë. Sa i përket Ballkanit Perëndimor, dhe veçanërisht Bosnjes, problemet mund të zgjidhen vetëm ndërmjet BE-së dhe Rusisë. Rivendosja e komunikimit me Moskën, nuk do të nënkuptonte në asnjë mënyrë miratimin e politikave ruse. Por pa komunikim, nuk ka asnjë shans të gjendet një zgjidhje diplomatike.

*Ish-zëvendëskryeministre dhe ministre e Jashtme e Kroacisë. Ajo është një anëtare e think-tankut “EuropeanCouncilonForeignRelations”. (Bota.al)