Kryeministri Edi Rama ishte sot në Berat, për prezantimin e programit për “Bonusin e Rijetëzimit”, përmes të cilit banorët e qendrave historike do të financohen me ndihma në formë grantesh për të zhvilluar biznese që i përshtaten zonave ku jetojnë dhe ndikojnë në zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit.

Kryeministri tha “Përmes kësaj nisme një tjetër zotim i fushatës elektorale dhe një tjetër pikë e programit “Shqipëria 2030” tanimë kthehet në një instrument në dispozicion të të gjithë atyre që duan të përdorin këtë bonus për të kthyer në jetë dhe për t’i shndërruar në instrumenta ekonomike shtëpitë e vjetra në qendra, në rardhë të parë në Kala, sepse rijetëzimi i kalave është një nga gjërat më të bukura që mund të bëjë një vend me një trashëgimi të pasur kulturore, si Shqipëria” duke i bërë thirrje familjeve që kanë shtëpi të tilla që me këtë program të ri mbështetës do të kenë qeverinë në krah.

Rama prezantoi secilën nga instrumentet mbështetëse që i mundësohen qytetarëve përmes programit të Bonusit të Rijetëzimit duke kujtuar edhe përfitimet që kanë bizenset e vogla nga zerimi i taksave.

“Dy instrumenta mbështetës, një për ristaurimin dhe konsolidimin e guackës së shtëpisë, mureve, dritareve, dyerve dhe fasadës ku do të japim deri në 10 mijë dollarë mbështetje dhe për instrumentin e dytë, për të gjithë ata që do të duan të futen në një plan transformimi dhe vënie në funksion ekonomik të shtëpisë, deri në 50 mijë dollarë.

Në parim, është i njëjti instrument që është përdorur për nxitjen e bujqësisë, përmes pikave të grumbullimit dhe atyre të agropërpunimit, i cili ishte një instrument i marrë nga modelet e Bashkimit Europian, ku shteti jep një pjesë të parave, jo kredi, por dhuratë, bazuar në një angazhim të subjekteve nga ana e tyre që duhet të prezantojnë një projekt e njëkohësisht të vendosin edhe ata një shumë parash.

Besojmë shumë që në kushtet kur ne e kemi zeruar taksën për biznesin e vogël, dhe përgjithësisht këto janë biznese të vogla, kemi zeruar TVSH për biznesin e vogël deri në 100 mijë dollarë xhiro, e përgjithësisht këto hyjnë te bizneset e vogla deri në 100 mijë dollarë xhiro, ky bonus do t’i japë një mundësi familjeve dhe në mënyrë të veçantë pasardhësve të rinj që të angazhohen në një biznes dhe të përfitojnë nga trashëgimia e tyre për të krijuar të ardhura që në të gjitha rastet janë më të larta se rrogat e shtetit, e jo vetëm kaq, por krijojnë punë edhe për të tjerët”.

Kryeministri theksoi se këto biznese do të rrisin edhe turizmin, pasi përmes transformimit të shtëpive në pika akomodimi do të rriten kapacitetet dhe si pasojë do të rriten edhe të ardhurat.

“Kjo ndodh paralelisht me disa ndërhyrje që po bëhen në Berat, Gjirokastër, po marr dy pika me peshë të madhe në historinë tonë të trashëgimisë kulturore, ku po investohet masivisht nga qeveria, nga pushteti vendor dhe bashkarisht brenda pak javësh tanimë, do të doja para vitit të ri, por besoj menjëherë pas vitit të ri do të kemi kantieret këtu, në të gjithë zonën poshtë që do ta transformojnë të gjithë atë pjesën ku është sheshi deri sot i makinave, në krah të sheshit kryesor, apo sheshi para objekteve të kultit, në një zonë komplet tjetër nga pikëpamja cilësore.

Një arsye tjetër për të vizituar Beratin dhe qëndruar në Berat kjo, e kombinuar me përmirësimit e infrastrukturës nga Kryetari i Bashkisë, edhe me mbështetjen tonë edhe me forcat e pushtetit vendor, e këtu kam parasysh Bypass-in që është drejt përfundimit, një ndërhyrje edhe për mbrojtjen lumore, por edhe për të lehtësuar shumë trafikun. Një sërë aksesh të tjera, edhe aksi nga erdhëm sot këtu, rruga e Kalasë që është një realitet krejt tjetër, njësoj si në Gjirokastër, ku me parkimin që po bëhet në sheshin Çerçizi, me transformimet e mëtejshme, do të rrisin vlerën e pronës”.

Në mbyllje të fjalës së tij, Kryeministri premtoi se fondi do të rritet vit pas viti, për të ndihmuar gjithmonë e më shumë familje për të ndërtuar biznese të tilla.