Për të folur rreth zhvillimeve politike gjatë vitit 2021, i ftuar në emisionin “Studio Live” në Report Tv për gazetaren Migena Sotiri dhe Arbër Hitaj, ishte ish-kryetari i Partisë Socialiste në Tiranë, Ervin Bushati, i cili tha se PD është ndarë në dy pjesë.

“E keqja nuk prodhon të mirë., Nuk ka si një zhvillim negativ të prodhojë diçka negative. Ka një P dhe D, janë ndarë nuk e di kush është P dhe kush është D.”, tha ai.

Ai tha se PD nuk është nju opozitë e përgjegjshme dhe nuk ka krahasim me mazhorancën, pasi ata po kthehen mbrapa në kohë me sjelljet e tyre politike.

”PD është regres, më vjen keq që ata që kemi përballë nuk janë të denjë. Ata po kthehen prapa në kohë, pas 97. Nuk ka krahasim me atë që janë ata dhe ne. Unë jam i parimit që një opozitë më e përgjegjshme, do bënte edhe një opozitë më të përgjegjshme.”, u shpreh ai.

I pyetur rreth skandalit të pagave, drejtori i Postës tha se ngjarje të tilla ndodhin jo vetëm në Shqipëri por edhe në vend më të zhvilluara si SHBA. Ai tha se ky “nuk është fundi i botës” dhe se drejtësia është ajo që do të vendosë.

“Ku ka punë, nuk është dhe gjithçka perfekte. Në të gjithë ritmin e punës gjatë pandemisë dhe tërmetit, kishte një element të shtuar, të ishim pranë qytetarëve edhe me mënyrën elektronike. Kjo ndodh edhe në vende të tjera të botës si në SHBA. Sa më shumë informatizohet ekonomia aq më shumë ngjarje të tilla do të ketë. Nuk është fundi i botës, ndodhi nuk duhet të ndodhte, siç tha edhe kryeministri do ta ndjekë drejtësia. “, shtoi ai.

Bushati tha se pavarësisht sfidave, qeveria ka arritur të mbajë cdo situatë nënë kontroll dhe sidomos pandeminë.

“Unë mendoj që duke parë sfidat që kemi përballë, mendoj që qeverisja ka bërë një punë shumë të mirë, Shoqëria shqiptare është e hapur, vaksinimi ka shkuar shumë mirë, COVID-19 nën kontroll. Shpresoj që 2022 të jetë një vit i mbarë me rritje ekonomike. Është bërë një proces shumë i gjerë vaksinimi, megjithatë ekonomia ka funksionuar siç duhet.”, u shpreh Bushati.