Luis Suarez nuk po kalon çaste aspak të këndshme në Atletico Madrid këtë sezon dhe mllefin e shprehu në humbjen kundër Sevillës të shtunën. Trajneri i Atleticos Diego Simeone i largoi Suarezin nga loja në minutën e 57-të, duke e zëvendësuar me Matheus Cunha, kur rezultati ishte baras 1:1.

Derisa po largohej nga fusha dhe po i afrohej stolit, sulmuesi uruguaian pëshpëriste duke shprehur pakënaqësitë e tij ndaj trajnerit pse u zëvendësua në një kohë kur Atletico ishte në kërkim të golit të epërsisë.

“Budalla i mutit, gjithmonë njëjtë”, u dëgjua Suarezi duke thënë para se të mbërrinte te banka e rezervistëve, ku i hodhi në tokë çorapët dhe e mbuloi fytyrën.

Suarezi po vuan ta gjejë formën e sezonit të kaluar këtë sezon, pasi e ka shënuar vetëm një gol në 10 ndeshjet e fundit për Atleticon.

Atletico u mposhtë 2:1 në fund në Estadio Ramon Sanchez-Pizjuan, pas një goli të vonshëm të Lucas Ocampos. Si pasojë e kësaj humbjeje, e katërta këtë sezon, Atletico ngel 13 pikë mbrapa liderit dhe rivalit Real Madrid në garë për titull në La Liga.