Kryedemokrati Basha, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga vetë ai, tha se ish kryeministri Berisha nuk e ka betejën personale me të, por me SHBA!

Basha tha më tej se kriza në Partinë Demokratike shpërtheu pas vendimit që ai mori për pezullimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar.

Kryedmeokrati shton se ka qenë ai pengesa që Berisha të kthejë Partinë Demokratike në një bunker antiamerikan.

“Kriza që po përjeton këto muaj Partia Demokratike shpërtheu në datë 9 shtator, pas vendimit tim për pezullimin e Sali e Berishës. Por kjo krizë nuk lindi atë ditë, ajo ka një parahistori që lidhet me raportin e Sali Berishës me Partinë Demokratike, të cilën e konsideron pronë private, me bashkëpunëtorët e tij të cilët i konsideron kukulla, me demokratët e thjeshtë të cilët po tregon se i konsideron numërorë topi për interesat e hallet e tij.

Kjo është kriza “Berisha”, që ka vegjetuar gjatë në trupin e PD-së në formën dhe përmbajtjen e kulturës të linçimit dhe terrorizimit të kundërshtarëve dhe mendimit ndryshe, nga e cila ai nuk arriti të shkëputej kurrë. Kjo ndoshta mund të na jetë dukur e përshtatshme për disa kohë, madje edhe e volitshme atëherë kur batareja zbrazej drejt kundërshtarëve tanë, por kjo na ka armiqësuar për shumë gjatë me një pjesë të madhe të popullsisë.

Kjo krizë shpërtheu ditën kur unë mora vendimin. Xhindosja e tij zbuloi të vërtetën e hidhur se Sali Berisha bëri sikur iku në vitin 2013, por në fakt nuk iku kurrë. Kjo krizë zbuloi gjithashtu se xhindosja e tij nuk është me Partinë Demokratike, nuk është me mua, që jam pengesa që ai ta kthejë atë në një bunker kundër aleatit strategjik të shqiptarëve dhe kundër interesave të demokratëve, por xhindosjen e ka me SHBA-të”, u shpreh Basha.