Nga Dibra gjatë një takimi me demokratët, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha foli para tyre edhe për liderin historik të kësaj force politike.

Basha ritheksoi edhe njëherë se shpallja non grata ishte vendim i Shteteve të Bashkuara, që ata as mund ta ndikonin dhe as ndalonin. Kryedemokrati kujtoi se punoi me SALI Berishën me muaj të tërë për të mos ardhur tek kjo gjendje, por sipas tij ai zgjodhi interesin personal.

“Ne nuk kishim në dorë asgjë, në vendimin e aleatit tonë strategjik. As mund ta ndikonim, as mund ta ndalonim. Shpallja non grata e Sali Berishës, është një vendim që është marrë nga aleati jonë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju e dini se për muaj me radhë unë kam punuar me të dhe me partnerët tanë strategjik për të gjetur një zgjidhje pikërisht, për t’ia hequr këtë luks Edi Ramës. Por në fund, njeriu që me të vërtet ka bërë shumë për këtë parti, por dhe ka marrë shumë nga kjo parti, vendosi interesin e tij personal mbi interesat e demokratëve dhe ç’është më e keqja mbi interesat e të gjithë shqiptarëve.

Kjo është e vërteta e qartë dhe e qëruar, gjithçka tjetër është gënjeshtër e sido që të serviret, prapë gënjeshtër ngelet.

Ndaj dhe PD në këto ditë të vështira u vendos përpara dy mundësive, të mbetemi peng e një lufte të brendshme të nisur nga një njeri për interesat e tij personale”,- deklaroi Basha.