Pas Kuvendit të mbajtur ditën e djeshme në stadiumin ‘Air Albania’, pasditen e sotme, ish kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një bashkëbisedim me shqiptarët e Floridas në SHBA, përmes një lidhje live.

Berisha ka komentuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike që kryedemokrati Lulzim Basha po mban në selinë blu, ku edhe tashmë është mbyllur votimi për për propozimin e shkarkimit të kryetarit të këtij institucioni, Edi Palokës si dhe disa prej anëtarëve të Kryesisë që ishin pjesë e Kuvendit të Berishës një ditë më parë.

Ish-kryeministri Sali Berisha e cilëson zhvillimin e Këshillit Kombëtar të PD-së, në kundërshtim me normat dhe ligjet, teksa deklaron se Basha nuk ka mbledhur dot as një të tretën e anëtarëve të Këshillit Kombëtar për të votuar.

Sipas tij, kryetari i Partisë Demokratike, e ka mbushur sallën me individë dhe punonjës të selisë së partisë.

“Ne nuk përballemi vetëm me deputetin Basha që nuk respekton asnjë normë, asnjë ligj dhe parim, përkundrazi. I marrë peng, ai vepron sipas urdhrave që merr. Ai i shkarkuar komplet, thërret Këshillin Kombëtar ku nuk paraqitet as 1 e treta e anëtarëve. Mbush sallën me individ dhe punonjës të godinës. Pavarësisht këtyre, ju garantoj se ky revolucion i filluar, nuk ka të ndalur. Ky revolucion, siç çmontoi diktaturën, do çmontojë narkoshtetin shqiptar”, tha Berisha.