Komisioni i Rithemelimit ka reaguar në lidhje me vendosjen e kamerave në ambientet e selisë blu një ditë pasi mbështetësit e Sali Berishës shqyen me forcë derën e sallës së mbledhjeve në selinë demokratike për të hyrë brenda.

Në reagim, Komisioni i Rithemelimit thotë se Basha nuk ka kuptuar që kryetar nuk të bën as vula, as brava dhe as kamerat e sigurisë, por vullneti i demokratëve.

Reagimi:

Deputeti Basha, pas karriges, dita-ditës po humbet dhe arsyen! Frika nga përballja me vullnetin e 44 mijë demokratëve që votuan për shkarkimin e tij në datën 18 Dhjetor e shtyn çdo ditë në absurditete të reja.

Shndërrimi i shtëpisë së lirisë në një bunker të sigurisë së lartë është dëshmi e vetmisë dhe paranojës që ka kapluar karrigethyerin që ka humbur arsyen për të kuptuar se lider dhe kryetar nuk të bën as vula, as brava dhe as kamerat e sigurisë, por vullneti i 44 mijë demokratëve që të dhanë përgjigjen më të merituar në datë 18 Dhjetor.

Partia Demokratike do t’u rikthehet shumë shpejt demokratëve, pronarëve të saj të vërtetë dhe është në interes të ish-qeraxhiut ta kuptojë se nuk ka kamera, bravë apo gaz lotsjellës që mund t’a ndalë vullnetin e tyre!