Fëmijët nga mosha 5 deri në 11 vjeç do të vaksinohen kundër Covid duke filluar nga 10 janari, sipas një njoftimi të kryeministrit Scot Morrison.

“Ky është një lajm i mirë për miliona familje në të gjithë vendin që duan që fëmijët e tyre të vaksinohen”, tha Morrison në një deklaratë.

Fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç do të marrin fillimisht vaksinën Pfizer , ndërsa rregullatori do të marrë në konsideratë edhe vaksinën Moderna, vendim i cili pritet të merret në ditët në vijim.

Vendimi për të vaksinuar fëmijët u mor në një kohë kur autoritetet australiane po përpiqen të përshpejtojnë marrjen e një doze përforcuese të vaksinës Covid-19. Vendi tashmë ka një nga normat më të larta të vaksinimit në botë, me pothuajse 90% të popullsisë mbi moshën 16 vjeç të imunizuar plotësisht, raporton abcnews.al

Në të njëjtën kohë, rreth 70% e adoleshentëve të moshës 12 deri në 15 vjeç janë vaksinuar plotësisht. Autoritetet po u bëjnë thirrje qytetarëve të marrin dozën përforcuese për shkak të mutacionit “Omicron”, i cili besohet të jetë më ngjitës, në një kohë kur ka një rritje të vazhdueshme të numrit ditor të rasteve me Covid-19 në Sidnei, qyteti i dytë më i madh i Australisë.

Shumica e rasteve janë varianti Delta, por numri i rasteve është rritur edhe për shkak të “Omicron”, i cili u zbulua për herë të parë në Australi rreth dy javë më parë. Rreth 50 raste janë identifikuar në vend, shumica prej tyre në Sidnei.

Australia ka regjistruar 225,000 raste dhe 2,084 viktima që nga fillimi i pandemisë.