Nga Ilir Metaj/ Kur sheh qimen dhe nuk vë re traun.

Ose kur do të shohësh qimen dhe nuk do të vësh re traun.

Është e njëjta gjë në thelb.

Është fiks kur shqyen sytë fort mbi lupë për të gjetur ndonjë defekt në përmbajtje, a ndonjë devijim në moral tek komedia “Prefekti” dhe, nderkohë, kujdesesh që sytë, veshët, madje edhe hunda, të mbeten të mbyllura fort për të mos hyrë shëmtia, ndotja akustike apo kutërbimi ulëritës që derdhen paralelisht e rregullisht nga ekranet e shtëpive, nga ekranet e kinemave madje edhe në skenat e festivaleve, nga qindra diletantë që i gëzohen lirisë që sjell zbrazëtia.

Nuk ka revoltë për tekstet e këngëve që analfabetët e dhunshëm derdhin mbi veshët e femijëve tanë cdo ditë, nuk ka debat për melodinë që ka humbur nëpër tallava (e vjedhur edhe kjo).

Nuk ka protestë për kinemanë e driloneve që vetshpallen bij të kryqëzimit shterp të Bruce Willis me Martin Scorsese.

Më keq akoma: këta drilonë janë kaq të mirëpritur edhe nga bashkitë e qyteteve të mëdha, që e promovojnë si model suksesi( i shfaqin nëpër sallat e tyre llum-filmin e fundit “Shkëmbimi”)

Ndërkohë, krijuesit e vërtetë, ata që i detyrohen art të vërtetë këtij populli, vajtojnë dembelizmin e vet vanitoz mbi ndonje gotë alkooli, a mbi ndonjë medalje të ndryshkur tashmë.

Kush do e zgjojë artin e vërtetë në këtë vend, nëse të ashtuquajturit “kritikë profesionistë”- nxitës të protestave pa thelb, refuzojnë edhe të vajtojnë mbi kufomën që po vdes?

Pale të rendin për të sjellë ndonjë kurë a ngjallin ndonjë shpresë!

Ku janë këta sqimatarë që kërkojnë qimen në kryeveprën artistike” Prefekti” dhe nuk shohin traun- llum që u vendoset para syve të rinjve të sotëm si model suksesi, qoftë në këta lloj filmash bastardë apo në këngët që promovojnë vesin, dhunën dhe vrasjet?!

Fakti që një pjesë jo e vogël e shoqërisë tonë sponsorizon dhe shkon të shohë filmat e drilonëve, që klikon miliona herë këngë-tallava që pështyjnë tekste llum, që kalon pjesën më të madhe të kohës së lirë duke komentuar “Përputhen” e “Big Brother” dhe nga ana tjetër kritikon komedinë “Prefekti”, eh, kjo tregon që kemi shumë, po shumë punë për të bërë.

Një mal përpara për të ngjitur.