Lëvizja Vetëvendosje thotë se marrëveshjet e dëmshme që mund të vijnë nga dialogu me Serbinë, do të kundërshtohen nga Qeveria dhe Kuvendi.

Por, për Partinë Demokratike e Kosovës, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, mund të bëhet shkas që vendi të shkojë në zgjedhje vitin e ardhshëm. Këta të fundit, thonë se marrëveshjet që janë nënshkruar më herët, do të përpiqen që t’i shqyrtojnë, në mënyrë që sipas tyre, Kosovës t’i mundësohet një pozicion i qartë në kërkesat e saj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se rrëzimi i Qeverisë Kurti në emër të dialogut mund të sjellë pasoja të mëdha politike për subjektet tjera, duke përmendur mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti 1 vitin e kaluar.

“Kundërshtimet që kemi nga Serbia nuk duhen shfrytëzuar nga subjektet politike, sepse u provua një herë që në emër të dialogut të rrëzohej Qeveria Kurti dhe pastaj u mor mesazhi nga votuesit. Unë mendoj që oportunistët politik duhet ta kenë parasysh që politika nuk është kontabilitet por është një qëndrim i këtij vendi dhe votuesve që të kundërshtojnë marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Kosova është e hapur për dialog dhe në fakt është interes i paqes për Ballkanin Perëndimor, e që të përafrohemi sa më shumë vlerave europiane, por ato duhet të bazohen në prinicipe, sepse shtetet kështu funksionojnë”, tha deputeti i LVV, Armend Muja.