Kryeministri i vendit Edi Rama në komunikimin për media pas mbledhjes së qeverisë se do të kërkohet mendimi i qytetarëve për ashpërsimin e dënimit të autorëve përsëritës, duke u nisur edhe nga rastet e fundit të krimit në vend.

“Kemi çështjen e situatës në të cilën u gjetëm së fundmi, krimet ekstreme të dhunës, duke pasur parasysh që një pjesë e opinionit kërkon një ashpërsim ekstrem në dënimin e autorëve përsëritës, në të njëjtën kohë përmban edhe një standard të caktuar dhe procesin tonë për botën që jetojmë e duam nga qytetarët opinionin e tyre”, tha Rama.

Kryeministri e nisi fjalën e tij me një thirrje për t’u përqendruar në bashkëpunim për më të mirën e vendit dhe lënë pas sherrin politik që gjithmonë ka qenë mes qeverisë dhe opozitës dhe së fundmi edhe brenda Partisë Demokratike.

“Me një pyetësor që do t’jua japim, do t’i japim jetë një kuvendimi popullor. Është koha për t’i lënë pas llogoret e sherrit politik dhe për të menduar për gjërat që na bashkojnë përtej shumë gjërave që na ndajnë në mënyrë që të hedhim hapa të rëndësishëm përpara duke u këshilluar së bashku për vendime që kanë impakt të drejtë në marrëdhëniet e shtëpisë sonë të përbashkët, dhe patjetër në përpjekjen jetike të kësaj shtëpie për të thelluar arritjet dhe adresuar plagët e padrejtësisë në funksion të luftës për drejtësi”, tha Rama.