Nga Ylli Pata

Në apologjinë mediatike që mjaft mbështetës e spin doc të Sali berishës në këto ditë, ekziston argument se SHBA do të mendohet dhe do ta ndryshojë vendimin për non grata-n, sapo ky i fundit të marrë PD-në apo të ndryshohet qeverisja në Uashington.

Nuk e ka përdorur vetëm Evi Kokalari këtë, por mjaft të tjerë, që mundohen të japin shembuj në tym, por pa dhënë asnjë rast, model apo standard që të mbështesin tezën e tyre.

Kurse teza tjetër është natyrisht ajo e stërkonsumuar tashmë se ambasadori amerikan në Tiranë është një njeri i qeverisë.

Nuk është hera e parë dhe vetëm zonja Yuri Kim që e ka përjetuar këtë akuzë nga batalioni berishjan i agjitpropit, e kemi parë edhe me Donald Lu-në, Alexandër Arvizu-n, John Withers, James Jeffrey, Mariza Lino, Joseph Limpreht etj.

Porn ë të shkuarën qeveria e SHBA nuk është marrë fare me akuzat që vinin nga politika shqiptare. Kanë kaluar vite që dikush të fliste për to, siç ishte rasti kur ambasadori Chris Hill, foli pak vite më parë për një akuzë që Fatos Nano hodhi ndaj diplomatëve amerikanë kur u arrestua nga Berisha në vitin 1993.

Ndërkohë, këto ditë kemi parë replika të forta dhe të njëpasnjëshme të qeverisë amerikane pas akuzave të Sali Berishës.

Por përse Uashingtoni zyrtar po e “harxhon” kohën me ca debate në një vend të vogël si Shqipëria, kur dihet tashmë hapësira dhe sasia e punëve në botë që kryen një kancelarie superfuqie si Departamenti i Shtetit?

E gjitha shikohet qartë në prononcimin e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price, për seksionin shqip të Zërit të Amerikës.

“Uashingtoni është i shqetësuar nga sulmet e pajustifikuara ndaj ambasadores tonë në Tiranë. Këto sulme të shëmtuara nuk përfaqësojnë popullin shqiptar. Siç e ka udhëzuar Uashingtoni, ambasadorja Kim ka shpjeguar dhe zbatuar qartë politikat e Shteteve të Bashkuara, përfshirë vendosmërinë e presidentit Biden për të mbajtur përgjegjës ata persona që përfshihen në korrupsion, ose minojnë demokracinë.

Shtetet e Bashkuara, vlerësojnë marrëdhëniet me popullin shqiptar dhe vitin e ardhshëm do të kremtojmë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve. Marrëdhëniet tona, i mbijetuan komunizmit dhe diktaturës për shkak të angazhimit të përbashkët për demokraci dhe respektit të ndërsjellë”.

Pra, ka një dalje të qartë për ta konsideruar se sulmet që vijnë nga Tirana, nuk janë qëndrime popullore kundër SHBA apo zyrtarëve të saj, por thjesht pjesë e luftës së një zyrtari shqiptar që është ndëshkuar nga qeveria amerikane.

Qëndrimi i zëdhënësit Ned Price që është zyrtari më normal për të dhënë një deklaratë të këtij lloji, e mbyll përfundimisht debatin e kotë që vijon të bëhet në Shqipëri se po ndryshon perceptimi i shqiptarëve ndaj SHBA-së.

Përmendja e 45 viteve të komunizmit kur marrëdhëniet e qeverisë së Enver Hoxhës dhe Uashingtonit ishin totalisht të ndërprera, është mjaft kuptimplotë dhe shteruese në këtë rast.

“Marrëdhëniet tona, i mbijetuan komunizmit dhe diktaturës për shkak të angazhimit të përbashkët për demokraci dhe respektit të ndërsjellë”, deklaroi zëdhënësi i DASH–çka do të thotë qartë e prerë se kur i kanë mbijetuar një qasje shtetërore që kishte edhe edhe mbështetje publike në komunizëm, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane nuk preken aspak nga kjo lëvizje e Sali Berishës, i cili është i ndëshkuar jo për një qasje antiSHBA, por për një aktivitet që ka ndërmarrë në Shqipëri për: korrupsion, minim të demokracisë dhe pengim të drejtësisë.

Ndërkaq, qëndrimi i sotëm i qeverisë së SHBA, i përcjell nëpërmjet rrjetit social të ambasadës së saj në Tiranë ishte gjithashtu i fortë e vulosës.

Me një grafikë të thjeshtë theksohej se nga mbi 200 të ndëshkuarit nga SHBA në bazë të 7031(C) në vite, asnjëra nuk është kthyer mbrapsht apo është ndryshuar. Pra, edhe pas ndërrimit të qeverive dhe Sekretarëve të ndryshëm të Shtetit.

Me këtë argument bie gjithë teoria e “rimendimit” të Amerikës, që Sali Berisha e kërkoi edhe publikisht në “Kuvendin” e 11 dhjetorit në Arenën Kombëtare.

E tashmë në panele do të ketë të tjera “ide” që do të tirren në këtë maratonë berishjane.

Natyrisht që edhe pa nevojën e përgjigjes “dhëmbë për dhëmbë” të Uashingtonit, gjërat do të ishin sërish kështu, por duket se ka një arsye të fortë kësaj radhe që ndërhyn aq lart kancelaria amerikane. Pikërisht që të mos lërë asnjë mundësi e hapësirë spekulimi me vendimet e saj.

Në vitet e shkuara, sidomos gjatë aksionit amerikan për të mbështetur reformën në drejtësi, që përfaqësohej nga ambasadori Donald Lu çfarë su than ë media, panele rrjete, duke shpikur e nxjerrë fake news për Lu-në, Amerikën e Trumpin.

Po në fund, qeveria e Trump nisi serinë e Non gratave pikërisht me Adriatik Llallën, njeriun e parë të Berishës e Metës në kupolën e shtetit që synoi të kthejë frikën e dy politikanëve shqiptarë, në një politikë të vendit. E në fund natyrisht ndodhi ashtu siç e dimë; të gjitha përrallat e shpikjet u rrëzuan si një kështjellë rëre….