Nga Raimond Cimbi/ Goditjen “Non Grata” fillimisht Berisha e “gëlltiti” i vetëm. Për këtë “vetmi” madje ai ishte i ndërgjegjshëm derisa deklaroi bindshëm se “goditjen” do ta përballonte i vetëm, pa mpleksur Partinë Demokratike.

Gjithçka shpërtheu kur Lulzim Basha, i vendosur nën trysni, e përjashtoi (e artikuluar “ngrirje) nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.

Në këtë moment Berisha kuptoi se mburoja që ai kish besim se jo vetëm që nuk do e tradhtonte, por do e mbronte, ashtu sic i takonte një lideri që ka bërë historinë e një partie (në të mirë a në të keq), ra!

I vendosur përpara alternativës së vetme që i mbeti “të shpëtojë të shpëtueshmen”, duke pasur Partinë si të vetmin mjet shpëtimi, ai vendosi ta rimarrë atë.

Sigurisht që kjo do të ishte një nga nismat e lehta që Berisha kish ndërmarrë gjatë jetës së tij politike. Jo vetëm sepse PD është një organizëm që gjallon nga fryma e tij, por edhe nga fakti se njeriu të cilin ai do të duhej ta rrëzonte nga karrigia ku e uli vetë, është antitezë e profilit të cilin ai e skaliti vetë në 3 dekada: karizmatik, i “destinuar” për të krijuar ithtarë.

I ndërgjegjshëm se do e mbaronte këtë punë në krye të 2 – 3 muajve, Berisha iu përvesh Foltoreve, të cilat i ndezi ashtu siç vetëm ai di ta bëjë.

Alibia e Foltores ishte e tillë nga fillimi deri në fund, në pothuajse të gjitha tezat e saj, që nga ajo se Kuvendi i 11 Dhjetorit u thirr nga poshtë, nga anëtarësia dhe jo nga lart, nga drejtuesia (gënjeshtër kryekëput!), për të vazhduar me tjetrën, se ky Kuvend nuk thirrej në ndihmë të llogarive personale që tashmë Berisha kishte me amerikanët, për të kulmuar me atë që Basha ishte legeni, ena në të cilin ishin mbledhur të gjitha të këqijat, nga ato të imagjinueshmet, deri tek ato të paimagjinueshmet: trafikant, tradhtar… një Judë e vërtetë, që vetëm 6 muaj më parë kish marrë votën e të gjithë anatemuesve foltoroistë për t`u rizgjedhur Kryetar.

Pra, pretenca u përgatit, u ngjiz nga Foltorja në Foltore. Basha duhet shkarkuar. Por kjo është vetëm gjysma e punës. Gjysma tjetër është që Berisha duhet të rizgjidhet Kryetar. Vetëm kështu Partia i bën punë atij, vetëm kështu ai mund ta përdorë Partinë, vetëm me këtë status ai mund t`i bëjë thirrje amerikanëve, siç dhe e bëri në Kuvendin e datës 11 Dhjetor: Hiqeni shpalljen “Non Grata!”

Pra, alibia e Foltores është rimarrja e PD me kryetar Sali Berishën!

Në të kundërt. Nëqoftëse qëllimi i Foltores do të ishte çlirimi i PD nga një Kryetar i paaftë, i cili nuk arrin dot të motivojë, që kalon nga humbja në humbje, antistrateg në lëvizjet dhe aleancat politike (mangësi për të cilat unë jam i bindur se ai i “zotëron” me tepri`), Kuvendi i 11 Dhjetorit, për të mos qenë alibi, duhej të ishte mbledhur menjëherë pas 25 Prillit, me një temë të vetme në rendin e ditës: Shkarkimin e Kryetarit Lulzim Basha!

Gjithsesi, kjo nuk ndodhi atëhere kur duhej të ndodhte, por u tentua të ndodhë në 11 Dhjetor. Foltorja e rrëzoi Kryetarin e keq dhe do të zgjedhë të mirin, atë që në fund të fundit duhet ta rikthejë PD në pushtet, dhe ky sipas saj është vetë Sali Berisha. Kjo është krye alibia e Foltores.

Demokratët mund t`ja besojnë Berishës ofiqin e Kryetarit të PD, por shqiptarët nuk ja besojnë atij ofiqin e Kryeministrit për herë të tretë, jo vetëm për çështje moshe, por për bëmat e tij. Nga ana tjetër, pas deklaratave publike dhe të drejtpërdrejta të përfaqësuesit të lartë të DASH, Escobar, se SHBA nuk ulet me Berishën, sigurisht që rikthimi i Berishës në pushtet është thjesht utopi.

Sali Berisha po të ishte i sinqertë në aksionin politik të Foltores për të sjellë PD në pushtet, në vend që të vetëofrohej si Kryetar i PD, duhej të investohej që PD të kishte në krye të saj një personalitet të ri politik në vend të Lulzim Bashës, sigurisht mjaft më të ri se vetë ai, energjik, bindës dhe shpresëplotë jo vetëm për elektoratin demokrat.

Kështu Berisha do të gjendej në misionin e liderit historik, që investohet për pasardhësit e tij, duke korrigjuar gabimet nga zgjedhja pararendëse. Vetëm kështu Berisha nuk do ta dënonte PD me “opozitë të përjetshme”. Kjo madje, do të ishte një mënyrë e mirë për të kuptuar nëse amerikanët mbrojnë personin Lulzim Basha, apo thjesht dhe vetëm nuk duan personin Sali Berisha, person “Non Grata”.