Nënkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj thotë se nuk i tremben lëvizjeve të ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas tij, Kuvendi i 11 dhjetorit dhe referendumi që do mbahet nesër janë jashtë rregullave dhe institucioneve të partisë.

Alibeaj shtoi se Sali Berisha si deputet nuk mund të jetë nesër në Kuvendin Kombëtar të PD.

“Nuk i trembemi. Është e qartë për këdo se referendumi është një lëvizje me dashje, jashtë rregullave dhe institucioneve të partisë. Nuk ka asnjë lloj trembjeje. Nuk do doja të përsëriteshin ato pamje të trishta, që ndodhën të hënën në seli.

Nuk është çështje bravash e thyerjesh, por është çështje legjitimiteti. Sa i përket protestës, shihni thjesht marrja e vendimit në emision televiziv për një çështje që ka sensibilitet të madh, por në këtë vend secili është i lirë ta shprehë qëndrimin e vet aty ku është

Sot për sot Berisha është i pezulluar, që do të thotë se pjesa tjetër e gjithë delegatëve kanë të drejtën, por edhe detyrimin e tyre, për të qenë, tha Alibeaj në emisionin “Pikat mbi i”.

Për nënkryetarin e PD, baza e partisë është me Lulzim Bashën. “Mua nuk më tremb aspak kjo situatë, sepse ky lloj pozicionimi nuk është se ka qenë një zgjidhje e lehtë, por një maturi. Baza e vërtetë e demokratëve, pavarësisht lëndimit dhe qortimit që mund të kenë edhe ndaj Bashës, e ka aftësinë brenda. Nuk ka asnjë lloj dyshimi që aleanca me SHBA është e pandashme. Në këtë shtresë nuk ka asnjë lloj ndarjeje. Nuk ka një çarje në PD.

Madje edhe Berishën po ta pyesësh nëse do të krijojë një parti të re, jo thotë. Hë për hë nuk ka dy parti. Do ta vendosin demokratët, ku një hap është nesër. Do të qartësohen, të heqin çdo re keqkuptimi, për të kuptuar të vërtetën siç është. Ka pasur vetëm një ngjarje, 9 shtatori, e cila është një çështje personale”, shtoi ai.