Sipas të dhënave të Shoqatës Ndërkombëtare të Alergologjisë dhe Imunologjisë Klinike, thuajse 15% e popullisë në botë është alergjike ndaj nikelit, mineralit të rëndë i cili gjendet në shumë produkte të konsumit të përditshëm si stolitë, detergjentët, produktet kozmetike, por edhe në shumë ushqime.

Kontakti me nikelin shkakton një dermatit të karakterizuar nga fshikëza pruriginoze pas marrjes së ushqimeve që përmbajnë nikel ose, më shpesh, pas veshjes së stolive, përdorimit të detergjentëve ose pas aplikimit te produkteve kozmetike që e përmbajnë këtë metal. Përveç dermatitit të lëkurës, alergjia nga nikeli shkakton po ashtu temperaturë të lartë dhe dhimbje koke. Nuk është e pazakontë që alergjia të manifestohet edhe në zonat e trupit që nuk ndikohen nga kontakti i drejtpërdrejtë, pasi trupi ka tendencë për të grumbulluar metal dhe pastaj të japë reagime të përhapura në pjesë të tjera të trupit.

Në qoftë se vuani nga alergjia prej nikelit duhet të ndryshoni regjimin tuaj ushqimor, shmangni rreptësisht thjerrëzat, domatet, fasulet, bizelet, finokun, sallatën jeshile, lakrën e bardhë, lulelakrën, qepën, selinonë dhe rrepat. Këshillohet të tregoheni shumë të kujdesshëm edhe përsa i përket konsumit të frutave specifike si kivi, rrushi dhe dardha, si dhe të mos fusni në gojë këto fruta të thata: bajame, lajthi dhe arra.