Një temperaturë prej 38 gradësh Celsius në Siberi, gjatë një vale të nxehtë në verën e vitit 2020, është njohur si një rekord për Arktikun, thanë ekspertët.

Temperatura është regjistruar në një stacion vëzhgimi meteorologjik në qytetin rus Verhojansk, më 20 qershor 2020, dhe është njohur si rekord nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO).

WMO tha se temperatura, që i përshtatet më shumë Mesdheut sesa poleve, erdhi gjatë kushteve që mesatarisht ishin deri në 10 gradë Celsius mbi normale për pjesën më të madhe të verës mbi Siberinë Arktike.

”Vala e të nxehtit nxiti zjarre shkatërruese, shkaktoi humbje masive të detit dhe luajti një rol të madh në vitin 2020, duke qenë një nga tre vitet më të nxehta të regjistruara”, tha organi i OKB-së për motin dhe klimën.

Arktiku po sheh temperatura ekstreme dhe po ngrohet me një ritëm më shumë se dyfishi i mesatares globale, duke bërë që WMO të krijojë një kategori të re në arkivin e saj të ekstremeve të motit dhe klimës.

Për ta konfirmuar se kjo temperaturë ishte një rekord për rajonin, një komitet ekspertësh përcaktoi se matjet nga Verhojansku ishin në përputhje me stacionet përreth dhe me kushtet e motit.

”Hulumtimet historike nga të dhënat kombëtare të vendeve të Arktikut, përfshirë Kanadanë, zbuluan gjithashtu se nuk kishte temperatura të njohura prej 38 gradë Celsius ose më lart në asnjë vend në Rrethin Arktik”, tha WMO.

Organizata po kërkon gjithashtu të vërtetojë një rekord të raportuar për Evropën, në Siçili, ku termometri vajti në 48,8 gradë Celsius këtë verë.