Mbi 1 milion qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës, ndërsa mbi 110 mijë qytetarë janë vaksinuar me tre doza, tha ministrja Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj në kuvend.

“Kemi mbërritur në gati 50% të qytetarëve mbi 16 vjeç të vaksinuar me 1 dhe dy doza. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer 2,253,886 vaksinime. Mbi 1 milion qytetarë janë vaksinuar dy doza, ndërsa mbi 124 mijë kanë marrë dozën e tretë të vaksinës anti Covid”.

Deri në fund të këtij viti, sipas ministres do të jenë siguruar gjithseh 3 milion doza nga vaksina të kompanive të ndryshme.

“Pak ditë më parë mbërritën mbi 100 mijë doza të vaksinës Pfizer, ndërsa priten së afërmi edhe 375 mijë doza vaksine përmes mbështetjes së Bashkimit Europian për të arritur në 3 milion doza deri në mbyllje të këtij viti. Siç presim të kemi sasinë e parë të vaksinave J&J nga Covax.

Qeveria shqiptare ka siguruar gjithashtu një kontratë të re me Pfizer prej 1.5 mln dozash me kompaninë Pfizer dhe do të vijojmë edhe më tej furnizimin me vaksina te tjera”, tha Manastirliu.

“Po kështu jemi duke vlerësuar në dinamikë situatën dhe në ndërkohë po vijojmë me investimet në sektorin shëndetësor për të siguruar Planin e Dimrit si dhe vazhdimit të rritjes së kapaciteteve qoftë sa i përket testimit dhe gjurmimit me shtimin e aparaturave të reja në ISHP, duke fuqizuar Urgjencën Kombëtare, ku një flotë e re prej 20 autoambulancash do të bëhet efektive brenda këtij viti duke mundësuar rritjen e përgjigjes ndaj rasteve urgjente si dhe kapacitetet spitalore, ku bëjmë të mundur edhe fillimin e investimit në spitalin infektiv, mbi 4 milionë euro për ta fuqizuar e për ta bërë një spital modern dhe qendër ekselence të sëmundjeve infektive”.