Asnjë diskutim nuk është zhvilluar mes deputetëve të grupit parlamentar demokrat në mbledhjen që është kryer këtë të hënë.

Deputetja demokrate, Albana Vokshi, ka thënë për gazetarët se kryetari Lulzim Basha nuk i ka lënë që të bëjnë asnjë diskutim.

Raportohet se Vokshi është distancuar nga qëndrimet e djeshme të Bashës kundër Sali Berishës.

“Nuk na la të bënim asnjë diskutim Basha. Distancohem nga qëndrimet e djeshme të zotit Basha pasi nuk përfaqësojnë Partinë Demokratike”, tha Vokshi.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha iu përgjigj me të njëjtën monedhë mbrëmjen e së dielës akuzave të ish-Kryeministrit Sali Berisha se është peng i Edi Ramës. Ai tha se Berisha me turin e tij të Foltores po i shërben Edi Ramës.

“Prej javësh, me zdërhalljet e tij Sali Berisha është kthyer në një tub oksigjeni për regjimin e Edi Ramës. Unë jam i vendosur t’ja këpus edhe këtë tub oksigjeni për regjimin Edi Ramës”, tha Basha.

E sa i përket akuzave të ish-liderit historik se po uzurpon Forumin e Rinisë Demokratike dhe Lidhjen e Gruas, Basha thotë se koha e tij ka mbaruar.

“Koha e Sali Berishës ka mbaruar. Bashkë me të ka mbaruar edhe koha e mandateve të skaduara dhe përdorimit të PD-së dhe forumeve të saj për interesa personale. Asgjë dhe askush nuk do ta kthejë PD-në në një bunker për interesat personale të Sali Berishës”, u shpreh Basha.