Edhe pse këmbëngulte për të kundërtën, duket se opozita maqedonas nuk i siguroi votat e votat e nevojshme për ta rrëzuar qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev.

VOA thotë se parlamenti e hapi sot seancën mbi nismën e opozitës, por më tej ajo u ndërpre me kërkesë të vetë opozitës. Ka qenë një deputet i Besës, Kastriot Rexhepi, prishi planet e partive opozitare, ndërkohë që ishin lëkundjet brenda kësaj partie ato që kishin ushqyer më herët shpresat e kundërshtarëve politikë të Zaevit.

Rexhepi shkroi në Facebook se nuk do të votonte për rrëzimin e qeverisë. “Duke pasur parasysh momentin politik, për hir të procesit dhe sinjaleve të forta nga partnerët strategjikë SHBA dhe Bashkimi Europian që më janë komunikuar nga përfaqësues të lartë diplomatik, se në muajin dhjetor vendi ka gjasa të mëdha të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, vendosa që mos të marrë pjesë në seancën parlamentare ku duhej të merret vendim me të cilin do të vihet në pikëpyetje, ky pikësynim jetik kombëtar dhe shtetëror”, është shprehur ai.

Nismës për rrëzimin e Qeverisë i duhen 61 deputetë nga 120 sa ka parlamenti. Iniciativës së nisur nga VMRO-DPMNE-ja i janë bashkuar partia maqedonase E Majta, dy partitë shqiptare të opozitës, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa që së bashku kanë 12 ligjvënës, si dhe vetë Lëvizja Besa e cila ka tre deputetë, por me tërheqjen e Rexhepit i mbetën dy.