Rrit madhesinë e shkrimit Zvogëlo madhesinë e shkrimit
Protestat kundër masave anti-COVID kanë shpërthyer në Evropë, ku mbrëmjen e djeshme në Holandë protestuesit janë përplasur me forcat e policisë. Ata hodhën fishekzjarrë dhe dogjën biçikleta në Hagë. Zyrtarët kanë shpallur një urdhër emergjence në qytet, ndërsa të paktën 7 protestues janë arrestuar. Ndërkohë, 3 të tjerë janë plagosur dhe po marrin ndihmë mjekësore ne spitale. Nga këto përplasje me turmën kanë mbetur të plagosur edhe 5 efektivë policie

Këto trazira vijnë pasi dy ditë më parë protestat në Roterdam u bën të dhunshme, ku protestuesit u përplasën me policët dhe këta të fundit hapën zjarr ndaj tyre. Holanda vendosi një bllokim të pjesshëm tre-javor të shtunën e kaluar pasi regjistroi një rritje rekord të rasteve me COVID. Baret dhe restorantet duhet të mbyllen në orën 20:00 dhe tifozët janë të ndaluar në stadiume.

Mijëra demonstrues dolën gjithashtu në rrugë në Austri, Kroaci dhe Itali për të kundndërshtuar masat anti-COVID të vendosura nga autoritetet për të parandaluar përhapjen e virusit.

Në Vjenë protestuesit nuk janë dakord me masat e reja të ndërmarra nga qeveria se të pavaksinuarit duhet të izolohen në shtëpi, ndërsa nga dita e hënë do vendoset një bllokim kombëtar për 20 ditë, ku të gjitha dyqanet do mbyllen përveç atyre esencialeve, ndërsa punonjësit do punojnë nga shtëpia kur është e mundur. Fakti që nga 1 shkurti 2022 Austria do të kërkojë me ligj vaksinimin e të gjithë popullatës, duke u bërë vendi i parë në Europë që e merr një masë të tillë, ka shkaktuar shumë zemërim tek qytetarët.

Në Kroaci , mijëra njerëz marshuan në kryeqytetin Zagreb për të treguar kundërshtuar vaksinimin e detyrueshëm për punonjësit e sektorit publik, ndërsa në Itali , disa mijëra protestues u mblodhën në terrenin antik të garave me karroca ‘Circus Maximus’ për të kundërshtuar certifikatat “Green Pass” që kërkohen në vendet e punës dhe në transportin publik. Trazira ka pasur edhe në Francë, ku protestuesit plaçkitën dhjetëra dyqane kundër certifikatës COVID.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shprehur shqetësim për rritjen e rasteve COVID, ku drejtori i saj rajonal Hans Kluge tha për BBC-në se nëse masat nuk forcohen në të gjithë Evropën, gjysmë milionë vdekjesh të tjera mund të regjistrohen deri në pranverën e ardhshme.

“Covid-19 është bërë edhe një herë shkaku i rritjes së numrit të vdekjeve në rajonin tonë. Ne e dimë se çfarë duhet bërë për të luftuar virusin, si vaksinimi, mbajtja e maskave dhe përdorimi i certifikatave COVID”, tha Kluge.

Shumë qeveri në të gjithë Europën po sjellin kufizime të reja në një përpjekje për të kufizuar infeksionet në rritje.