Eklipsi më i gjatë hënor në 580 vitet e fundit do të ndodhë në orët e para të mëngjesit të së premtes dhe pritet të zgjasë për disa orë.

Më qartë ai do të duket gjatë paradites, sipas ekspertëve që thonë se gjatë këtij fenomeni 97 për qind e Hënës do të errësohet nga hija e Tokës.

Më i dukshëm sipas NASA-s, eklipsi do të jetë në SHBA, Kanada e Meksikë, si dhe në një pjesë të Amerikës së Jugut, Australisë dhe Kinës.

Hëna do të jetë në pikën më të largët nga Toka gjatë eklipsit, duke ngadalësuar orbitën e saj dhe duke zgjatur kohën që duhet për të dalë nga pjesa më e errët e hijes së planetit, teksa së bashku me Diellin do të jenë në një linjë.

Agjencia amerikane e hapësirës merret me studimin e Hënës, që nga fillimi i programit Apollo në vitet 1960. Në vitet e mëvonshme, NASA grumbulloi të dhëna përmes një anieje orbitale për studimin e Hënës, e cila fluturon deri 20 kilometra mbi sipërfaqen e saj.

Disa shkëmbinj në Hënë janë krijuar 4,5 miliardë vjet më parë, në historinë më të hershme të Sistemit tonë Diellor.