Kryeministri holandez Mark Rute deklaroi dje se MV meriton të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian dhe shpreson se BE-ja do të jetë më aktive në përpjekjet që të ndihmojë në zgjidhjen e problemit me Bullgarinë.

”Holanda ka qenë një nga vendet që për një kohë të gjatë ka qenë kundër negociatave me BE-në, por është bërë shumë progres në vitet e fundit dhe unë personalisht kam dashur të përcjell mesazhin se jemi shumë të lumtur që BE-ja më në fund vendosi t’i nisë negociatat”, theksoi Rutte, i cili vizitoi dje MV.

”Fatkeqësisht, problemi tani është Bullgaria dhe ne duhet ta zgjidhim atë”, tha Rute në një prononcim për televizionin maqedonas, ”Sitel”, duke shtuar se ”është optimist i matur nëse vendi do t’i fillojë negociatat në dhjetor”.

Ai shpreson se do të gjendet një zgjidhje pas zgjedhjeve në Bullgari dhe se çështja dypalëshe midis Sofjes dhe Shkupit nuk duhet të jetë pengesë për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

”Unë personalisht jam mik i mirë i kryeministrit Zoran Zaev, por sigurisht që do të punojmë me çdo qeveri të Maqedonisë së Veriut”, theksoi Rute.

Rutte shpjegoi se Holanda ka qenë gjithmonë strikte, por e drejtë ndaj vendeve që duan të anëtarësohen në BE.

”Holanda ka qenë kundër fillimit të negociatave në BE për një kohë të gjatë, por duhet të pranoj se kjo ishte e rreptë, por edhe korrekte. Rreptësisht sepse kërkon shumë kohë, por e drejtë sepse kur u bënë të gjithë hapat e nevojshëm atëherë Holanda, por edhe Franca dhe të tjerët ishin dakord me fillimin e negociatave”, nënvizoi Rutte.