Leo Messi (Rosario, 1987) ka mirëpritur gazetarët e “Marca” në shtëpinë e tij të re në Paris, me rastin e të tetit “Pichichi” (Këpuca e Artë) që arriti sezonin e kaluar me Barcelonën. Ai duket i lumtur dhe tashmë i përshtatur me jetën e re. E ka kthyer faqen dhe tashmë është i fokusuar në arritjen e objektivave me ekipin parizien. Një PSG që e sheh si favorit për të fituar Ligën e Kampionëve, edhe pse e pranon se kanë shumë punë përpara. Si një mik i tij i mirë, ai i uron Xavit suksese në fazën e re si trajner i Barcelonës. Ai është i bindur se Barça do të rritet me të.

U larguat nga La Liga, por duke lënë rekorde që mund të mos arrihen më kurrë…
Sot, duke qenë në Paris, nuk iu jap vlerën që kanë realisht. Ne luajmë një ndeshje çdo tri ditë dhe nuk kemi kohë të mendojmë për këtë. Njëri fokusohet në përballjen që po vjen dhe në arritjen e sfidave dhe objektivave që i kemi vënë vetes. Nesër, në pension, kur të filloj të shoh të gjitha rekordet që pata fatin t’i arrij, atëherë do t’iu jap vlerën që kanë realisht.

Jeta juaj e re në Paris…
Jemi përshtatur tashmë, kemi një shtëpi, shkolla e fëmijëve është zgjidhur. Dalim me Antonelën për darkë, edhe ajo po ambientohet. Tani jam shumë mirë. Jam përshtatur plotësisht pasi hymë në shtëpinë tonë të re dhe fëmijët filluan shkollën e rutinën e tyre të përditshme. M’u desh të bëja edhe shumë udhëtime në Argjentinë për kualifikueset e Botërorit.

Si ndihen fëmijët tuaj, a kanë filluar me frëngjishten?
Ishte shumë më e lehtë nga sa e imagjinonim në fillim. E kishim menduar shumë dhe sa e vështirë do të ishte për ta. Në fund ishin ata që u përshtatën më shpejt. Ata tashmë shkojnë në shkollë dhe me siguri do të mësojnë shumë shpejt frëngjisht, sepse kur vjen puna për të mësuar, fëmijët fluturojnë. E gjithë kjo na ka dhënë një qetësi të madhe shpirtërore, si për Antonelën, ashtu edhe për mua. Kemi parë që shumë shpejt janë përshtatur me qytetin dhe vendin e ri.

Me ju, Mbappé dhe Neymar, si dhe shumë të tjerë, a mund të mendohet se PSG nuk është favoriti i madh për të fituar Champions League?
Të gjithë thonë se jemi favoritët e mëdhenj dhe nuk e mohoj që jemi një nga kandidatët me emër, por gjithsesi na duhen gjëra për të qenë një ekip vërtet i fortë. Duhet të përfundojmë konsolidimin si skuadër. Kemi avantazhin e lojtarëve shumë të mirë për ta arritur atë. Sidoqoftë, nuk jemi vetëm ne, ka skuadra të tjera të mëdha që janë kandidate. Liga e Kampionëve është një kompeticion shumë i vështirë, që e bën atë kaq të bukur dhe të veçantë. Skuadrat më të mira janë atje dhe po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar. Po, jemi një nga të preferuarit, por jo të vetmit.

Cilat skuadra mendoni se janë kandidate për Champions League?
Sot, Liverpool është shumë mirë, është rikthyer në nivelin e vetvetes kur fitoi Champions League. Më pas janë Manchester City, Bayern Munich, Real dhe Atlético Madrid… Ka shumë skuadra që mund të luftojnë për këtë edicion të Ligës së Kampionëve, i cili është një nga më të barabartët dhe konkurruesit e viteve të fundit.

A iu jep ndonjë shans skuadrave spanjolle?
Real Madridi është gjithmonë konkurrues. E njëjta gjë ndodh me Atléticon dhe të dy do të jenë atje duke luftuar. Janë dy rivalë shumë të vështirë në përballje direkte me dy ndeshje. E njohin shumë mirë konkurrencën dhe mënyrën se si duhet luajtur, prandaj janë padyshim dy nga favoritët. Barcelona po kalon një fazë rindërtimi me një ekip në të cilin ka shumë lojtarë të rinj. Sot mendoj se ka skuadra më të mira se Barcelona, ​​por, megjithëse tani ata japin këtë përshtypje, kjo nuk do të thotë se më vonë nuk do të mund të luftojnë, sepse duhet të kemi parasysh ardhjen e Xavi, rikuperimin e disa lojtarëve. Katalanasit mund të vazhdojnë të rriten dhe të luftojnë. Sevilla tani ka një situatë të vështirë në grupin e saj, por ka ende opsione për të kaluar dhe është një ekip konkurrues. Të gjitha skuadrat spanjolle e kanë treguar gjatë viteve të fundit në Evropë, si në Champions League ashtu edhe në Europa League se sa vlejnë.