95% e punës për ngritjen e Komisionit Parlamentar për reformën zgjedhore është bërë dhe vetëm objekti i punës së këtij komisioni ka mbetur pa i përcaktuar.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh në një prononcim për mediat pas mbledhjes së grupit se komisioni do të duhet të adresojë rekomandimet e ODIHR që kanë mbetur pa i adresuar që prej vitit 2015.

“Natyrshëm që vendimmarrja për komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore ka një dakordësi të plotë për ta ngritur. Kemi një dokument parlamentar për ngritjen e këtij komisioni. Jemi në punë e sipër, 95% e punës është bërë deri më tani. Jemi duke saktësuar edhe një çështje të fundit që ka të bëjë më objektin e komisionit. Ka rëndësi që ne jemi duke e diskutuar këtë çështje dhe kemi vullnet të plotë. Unë nuk dua të hyj në detaje. Sa herë që çështjet bëhen publike thjesht na vonojnë kohën. Komisioni i Posaçëm adreson të gjitha rekomandimet që kanë ardhur nga raporti i ODIHR, se kemi që nga viti 2015 që nuk i kemi adresuar. Brenda komisionit ka barazi mes anëtarësh dhe të drejtë vetoja”, tha Balla.

Ai u pyet edhe në lidhje me kërkesën e SPAK për një mandat të pakufizuar në kohë i mandatit të prokurorëve të këtij institucioni. Balla tha se çështja do të merret në shqyrtim por ka kohë për këtë.

“Ndryshimet kushtetuese kanë një procedurë dhe ende s’ka asnjë propozim për këtë kërkesë. Kohë kemi sepse prokurorët e SPAK nuk janë në fundin e mandatit të tyre. Çështja meriton të vlerësohet. Ne jemi të hapur”, përfundoi kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.