Në Kosovë sot qytetarët votojnë për të zgjedhur kryetarët e 21 komunave, përfshirë edhe atë të kryeqytetit, Prishtinës. Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në orën 11:00 kanë votuar mbi 7 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Vendvotimet për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale hapen në ora 07:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00. Të drejtë vote në këtë rund zgjedhjesh kanë 1,260,571 qytetarë dhe ata do të mund të votojnë në 575 qendra votimi me 1,638 vendvotime.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar përmes postës 1,571 pako të supozuara me fletëvotime nga votuesit që jetojnë jashtë Kosovës.

Përveç Prishtinës, qytetarët do të zgjedhin krerët e rinj të Komunës së Gjakovës, Gllogocit, Gjilanit, Dragashit, Istogut, Kaçanikut, Klinës, Fushë Kosovës, Kamenicës, Obiliqit, Rahovecit, Podujevës, Prizrenit, Shtimes, Vitisë, Vushtrrisë, Malishevës, Junikut, Mamushës dhe Kllokotit.

Votojnë kandidatët për Prishtinën
Paraditen e së dielës të dy kandidatët në garën për Prishtinën, Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë votuar rreth orës 9:00.

Kandidati i LVV-së, Vitia, duke ftuar qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, ka thënë se dita e zgjedhjeve është “një ditë thelbësore për demokracinë dhe shtetin – sot vendoset fati i kryeqytetit – ndaj është shumë e rëndësishme që të gjithë të marrin pjesë në procesin e votimit”.

Edhe kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Rama, ka ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar, pasi siç ka thënë ai, “kohëra të mira për të gjithë qytetarët e Prishtinës po vijnë”.

Përveç Prishtinës, qytetarët do të zgjedhin krerët e rinj të komunave në Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe në Kllokot.

Kush me kë ballafaqohet?
Lëvizja Vetëvendosje, që udhëheq Qeverinë e Kosovës dhe që në zgjedhjet parlamentare të shkurtit fitoi mbi 50 për qind të votave, në rundin e parë nuk e fitoi asnjë komunë. Kjo parti përballet në 12 komuna në raundin e balotazhit.

Në zgjedhjet e rregullta lokale të vitit 2017, LVV kishte fituar tri komuna: Prishtinën, Prizrenin dhe Kamenicën.

LDK-ja në rundin e dytë garon në nëntë komuna, PDK-ja në tetë komuna, AAK-ja në pesë komuna, Nisma Social Demokrate dhe Partia Social Demokrate zhvillojnë gara në nga një komunë, ndërkaq, në komunën e banuar me shumicë serbe, Kllokot, në garë do të jenë Lista Serbe dhe GI SNS.

Garat më të paparashikueshme pritet të zhvillohen në Prishtinë dhe Prizren.
Gara për Prishtinën zhvillohet ndërmjet Arben Vitisë së Lëvizjes Vetëvendosje, që në rundin e parë fitoi 45.54 për qind të votave dhe Përparim Ramës nga Lidhja Demokratike e Kosovës që fitoi 29.17 për qind të votave.

Në Prizren ballafaqohen Mytaher Haskuka i LVV-së me 40.41 për qind të votave dhe Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës me 31.36 për qind të votave.
Balotazhi në Gjilan zhvillohet ndërmjet Lutfi Hazirit nga LDK-ja që mori 43.51 për qind të votave, dhe Alban Hysenit nga LVV-ja që mori 44.71 për qind të votave.

Për kreun e Komunës së Gjakovës garojnë Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që në rundin e parë fitoi 45.76 për qind të votave dhe Mimoza Kusari-Lila së LVV-së me 37.20 për qind të votave.

Balotazhi në Podujevë zhvillohet ndërmjet Ekrem Hysenit të LDK-së me 44.20 për qind të votave dhe Shpejtim Bulliqit të LVV-së me 44.16 për qind të votave.
Në Komunën e Gllogovcit gara është ndërmjet Ramiz Lladrovcit të PDK-së me 45.50 për qind të votave dhe Driton Ajazit nga Demokratët për Drenasin me 30.50 për qind të votave.

Komuna e Kaçanikut garën e zhvillon ndërmjet Besim Ilazit nga Partia Demokratike e Kosovës me 44.67 për qind të votave dhe Jeton Rakës nga LVV-ja me 33.36 për qind të votave.

Dragashi në balotazh ka Bexhet Xheladinin nga LDK-ja që mori 35.69 për qind të votave dhe Shaban Shabanin nga PDK-ja që mblodhi 32.56 për qind të votave.
Në Kamenicë në balotazh shkojnë Qëndron Kastrati nga Partia Social Demokratike me 32.52 për qind të votave dhe Kadri Rahimaj nga LVV-ja me 31.01 për qind të votave.

Burim Berisha i LDK-së me 49.72 për qind të votave dhe Enver Bajçinca nga LVV-ja me 25.58 për qind të votave, garojnë për udhëheqjen e Fushë Kosovës.
Në Istog në balotazh janë Ilir Ferati i LDK-së me 41.09 për qind të votave të fituara dhe Bekë Berisha nga AAK-ja me 24.49 për qind të votave.

Balotazhi në Komunën e Obiliqit zhvillohet ndërmjet Xhafer Gashit nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin me 48.12 për qind të votave dhe Halil Thaçit të LVV-së me 20.19 për qind të votave.

Në Klinë garojnë Zenun Elezaj nga AAK-ja me 43.33 për qind të votave dhe Esat Raci nga PDK-ja me 27.42 për qind të votave.
Për kreun e Rahovecit gara zhvillohet ndërmjet Smajl Latifi i AAK-së me 47.18 për qind të votave dhe Visar Korenica i LVV-së me 24.84 për qind të votave.

Gara në Malishevë zhvillohet ndërmjet Ekrem Kastratit nga Nisma Socialdemokrate me 34.08 për qind të votave dhe Isni Kilajt të PDK-së me 28.82 për qind të votave.

Në Viti në balotazh janë Sokol Haliti i LDK-së me 41.30 për qind të votave dhe Arsim Ademi i LVV-së me 34.50 për qind të votave.
Komuna e Junikut ka kandidatë për kryetar Agron Kuçin nga AAK-ja me 45.19 për qind të votave dhe Ruzhdi Shehun e LDK-së me 42.01 për qind të votave.

Në Vushtrri në balotazh janë Ferit Idrizi i PDK-së me 34.81 për qind, dhe Xhafer Tahiri i LDK-së me 33.82 për qind të votave.
Në Shtime në balotazh garojnë Qemajl Aliu i VV-së me 45.29 për qind të votave dhe Naim Ismajli i PDK-së me 44.23 për qind të votave.

Gara e balotazhit në Mamushë zhvillohet në mes Abdulhadi Krasniqit nga Kosova Demokratik Turk Partisi me 48.92 për qind të votave dhe Arif Butuqit nga Kosova Adalet Turk Partisi me 36.95 për qind të votave.

Kllokoti zhvillon rundin e balotazhit ndërmjet Vladan Bogdanoviqit nga Lista Serbe me 41.01 për qind të votave dhe Strahinja Spasiq nga Gi Srpska Narodna Sloga me 36.33 për qind të votave.

Kush fitoi në rundin e parë?
Rundi i parë i zgjedhjeve të rregullta lokale u mbajt më 17 tetor dhe qytetarët votuan për asambletë komunale dhe kryetarët e komunave. Në këtë rund, nga 38 komuna sa janë në Kosovë, 17 zgjodhën krerët e rinj.

Nga partitë shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës më 17 tetor fitoi më së shumti komuna, gjithsej katër: Mitrovicë e Jugut (Bedri Hamza), Ferizaj (Agim Aliu), Skenderaj (Fadil Nura) dhe Han i Elezit (Mehmet Ballazi).

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar dy komuna: Pejë (Gazmend Muhaxheri) dhe Lipjan (Imri Ahmeti). Numër të njëjtë të komunave ka fituar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: Deçan (Bashkim Ramosaj) dhe Suharekë (Bali Muharremaj).

Ndërkaq, Lista Serbe ka fituar në nëntë komuna: Mitrovicë e Veriut (Milan Radojeviq), Leposaviq (Zoran Todiq), Zubin Potok (Sërxhan Vuloviq), Zveçan (Dragisha Miloviq), Graçanicë (Liljana Shubariq), Novobërdë (Sasha Millosheviq), Shtërpcë (Dalibor Jevtiq), Ranillug (Katarina Ristiq) dhe Partesh (Dragan Petkoviq).

Sa i përket kuvendeve komunale, LDK-ja mori më së shumti vota (170,134), pasuar nga LVV-ja (168,084), PDK-ja (161,645), AAK-ja (90,863) dhe Lista Serbe (53,342).

Rundi i parë i zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si dhe nga ekipi monitorues i Bashkimit Evropian u tha se u mbajt i qetë dhe pa incidente.