Çdo veprim ka kundërveprim. PSG dëshiron të ndërhyjë në rinovimin e Vinicius Junior me Real Madridin. Drejtuesit e parizienëve shohin te figura e të riut brazilian zëvendësuesin ideal të Kylian Mbappé, i cili me afrimin e fundit të vitit do të dalë lojtar i lirë dhe mund të negociojë me këdo. Ylli francez nuk dorëzohet para ofertave të sheikëve dhe ka refuzuar secilën prej tyre.

Duke parë këtë situatë, Al Khelaifi është gati të kalojë në kundërsulm, të hakmerret për çështjen “Mbappé”. Sipas gazetës ABC, ideja e klubit parizien është që të bindë brazilianin e ri të mos rinovojë kontratën (i mbaron në vitin 2024) dhe të shkojë në “Parce des Princes” pas përfundimit të saj si lojtar i lirë. Për këtë i ofron brazilianit ofertë të supozuar 6-vjeçare, me pagë 17 milionë euro në sezon. Real Madridi, nga ana e tij, dëshiron t’ia rinovojë kontratën ekzistuese deri në vitin 2027.

Aktualisht, Vinicius fiton rreth 3.3 milionë euro në sezon, rrogë që iu imponua me mbërritjen në radhët e të bardhëve në verën 2018. Braziliani po shfaqt si një nga lojtarët kyç të Ancelottit. Ai ka shënuar 10 gola dhe dhënë 5 asiste në 18 ndeshjet që ka luajtur deri më tani, në këtë sezon.

Në fakt, PSG është përpjekur të nënshkruajë me brazilianin e ri që kur mbërriti në Madrid tri vite e gjysmë më parë. “Los Blancos” ishin më të shpejtë se parizienët dhe Barcelona asokohe, por tashmë në lojë do të hyjnë milionat e sheikëve.