Sektori i Dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme ka përfunduar verifikimet për Tom Doshin.

Rezultatet e këtyre verifikimeve sipas Prokurorisë së Përgjithshme i janë dorëzuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili si organ kompetent, duhet të shqyrtojë nëse janë evidentuar të dhëna që përfshihen në sferën e kufizimeve të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe në vijim të vlerësojë nëse ato janë brenda periudhës së ndalimit të përcaktuar në po këtij ligji.

Tom Doshi ishte në listën e 28 kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i nisi për verifikim Prokurorisë së Përgjithshme.

Në atë kohë kryetari i KQZ-së Ilirjan Celibashi shpjegoi se “në rastin e Doshi KQZ ka marrë shtysën nga të dhëna publike, që e nxitin t’i kërkojë prokurorisë informacione të tjera, veç atyre që ai ka dhënë në formularin e vetëdeklarimin, për të bërë vlerësim më të plotë mbi përputhshmërinë e kandidimit të tij për deputet. Por edhe në formularin e vetëdeklarimit ka të dhëna që shërbejnë si indicie për KQZ-në, për të kërkuar hetim të thelluar për kandidatin” – tha Celibashi.

Gjatë verifikimeve, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi të dinte me anë të një kërkese drejtuar Ambasadës së SHBA, informacionet që kjo ambasadë disponon rreth Doshi, nisur dhe nga fakti që Departamenti amerikan i Shtetit në Prill të vitit 2018, vendosi që t’i ndalojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara Doshi dhe anëtarëve të tjerë të familjes së tij.

Ndërkaq, ambasadorja amerikane Yuri Kim, bëri thirrje të përsëritura për të penguar rikandidimin e Doshit në zgjedhjet e 25 prillit. Pas këtyre ngjarjeve, Tom Doshi dha dorëheqjen nga kreu i PSD. Tom Doshi po ashtu dha dorëheqjen nga mandati i deputetit vetëm pak orë pas zgjedhjeve të 25 prillit.