Në një kohë kur ka thirrur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor, Sali Berisha kish vendosur të ndryshonte strategji, për të intensifikuar takimet nga dy, në tre në javë. Dhe do ta fillonte me këtë të dielë.

Ai pritet të mbledhë të rinjtë e PD-së, një takim që ai kish ditë që po e përgatiste, dhe bashkë me të po gëlonte edhe debati në zyrat qendrore të PD-së.

A do të merrnin pjesë edhe të rinjtë e FRPD-së? A do të ishte në këtë takim edhe vetë kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi që deri më tani nuk ishte pozicionuar me “Foltoren” por as edhe me Bashën.

Dhe enigmën e zgjidhi vetë Lulzim Basha duke shpallur në mënyrë ta papritur zgjedhjet për drejtimin e FRPD-së, duke i kujtuar Belind Këlliçit që mandati i kishte përfunduar që në vitin 2019 .

“Hapet gara për riorganizimin dhe zgjedhjet në FRPD. Kryetari zgjidhet sipas parimit 1 anëtar, 1 votë.

Forumi Rinor i Partisë Demokratike nisi sot procesin e riorganizimit dhe zgjedhjeve në të gjitha strukturat. Kryetari PD Lulzim Basha udhëzoi nisjen e procesit të rifreskimit të strukturave dhe ngritjen e një grupi pune që do të mbikqyrë procesin, pasi mandati i shumicës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së ka mbaruar dhe një pjesë e drejtuesve kanë tejkaluar moshën.

Kryetari i FRPD-së dhe i forumeve drejtuese kanë mandat 4 vjeçar, ndërsa anëtarët e FRPD-së mund të jenë pjesë e forumit deri në moshën 35 vjeç”, thuhet në njoftimin zyrtar të Partisë Demokratike.

Basha ka caktuar edhe grupin e punës për këtë çështje.

Por vetëm disa orë më pas, nga shkallët e PD-së, Belind Këlliçi bashke me një grup të rinjsh të FRPD tha se Basha nuk ka kompetencën për ta bërë një gjë të tillë.

“Gjykoj që nuk është ky momenti as për t’u uzurpuar FRPD dhe as për të krijuar përçarje më të thellë. Që nga dita e parë që kam shkelur në PD, kam patur një qasje që të mos humb asnjë anëtar, jo më sot ta fusim këtë organizatë në një konflikt me PD-në.

Ne këtë proces nuk e njohim dhe në momentin kur të piqen kushtet, ne kemi detyrim statutor për të patur një grup të ri të Forumit Rinor. Themelet e PD-së janë te FRPD. Jam krenar që në Forumin Rinor ka përplasje mendimesh, por vendimet merren me votë”, tha Këlliçi.

I të njëjtit mendim ka qenë edhe Sekretari i FRPD-së, Grigels Muçollari, duke shkuar madje edhe më tej.

Muçollari e tha troç se një lëvizje e tillë vjen pas vendimit për të marrë pjesë në “Foltoren” e Berishës

“Veprimi i ndërmarrë shkel rëndë statutin. Gjithashtu ky veprim shkel statutin e PD duke tejkaluar kompetencat e kryetarit. Ky veprim vjen pas firmosjes në masën 75% nga anëtarët e FRPD-së për të marrë pjesë te Foltorja. Ky veprim vjen pasi kryetari deklaroi se do marri pjesë në Foltore.

E konsiderojmë nul. I bëjmë thirrje Bashës, që nuk do të lejojmë tentativa kërcënimi. Nuk lejojmë shkeljen e rregullave. Të tërheqë menjëherë lajmërimin e nxjerrë. E konsiderojmë hakmarrje ndaj FRPD-së. Statuti e përcakton qartë se hapjen e zgjedhjeve e përcakton FRPD…” , tha ai.

Pozicionimi i Belind Këlliçit pro “Foltores” shihet si lëvizja më konkrete brenda PD-së. Belind Këllici është deputeti i dytë më i votuar nga PD-ja për qarkun e Tiranës, pas Agron Shehajt. Këlliçi ishte pozicionuar në vend të sigurt në listën e PD-së por paralelisht ai mundi të thyejë herësin e votave, duke u radhitur ndër deputetet më të votuar.

Pozicionimi i tij jo me fjalë, por me veprim konkret për t’ju bashkuar sipas të gjitha gjasave “Foltores” së Berishës, (ajo c’ka po përflitej prej ditësh), mund të shihet si ndarja më e madhe e dyte me PD-në zyrtare, ajo me FRPD, forumi më i rëndësishëm i partisë pas lidershipit.(SI)