Një zëvendësministër polak i Punëve të Jashtme deklaroi se manovrat e përbashkëta ushtarake ruso-bjelloruse që po zhvillohen pranë një kampi të madh emigrantësh nuk janë gjë tjetër veç një përpjekje për të rritur edhe më tej tensionet.

Marcin Przydacz i tha radios ”Zet” se Polonia ishte “duke parë nga afër ngjarjet që po ndodhin”.

”Ne besojmë se ky është një përshkallëzim i panevojshëm, një përpjekje për të rritur sërish tensionet rreth kësaj situate të vështirë kufitare”, tha zëvendësministri.

“Unë besoj se kjo është absolutisht e papërshtatshme dhe e panevojshme. Ushtarët rusë nuk nevojiten atje, sepse rrit tensionet”, shtoi Przydacz.

Ai theksoi se “Polonia sigurisht nuk është e interesuar për ndonjë përshkallëzim të situatës kufitare”.

“Megjithatë, ne i perceptojmë hapat e këtij lloji si përpjekje për të përshkallëzuar tensionet”, shtoi ai.

Przydacz i tha gjithashtu stacionit radiofonik se ai priste që vendimet e vështira për sanksionet ndaj Bjellorusisë të merreshin gjatë një takimi, të hënën, të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel.

“Ka një listë sanksionesh në tryezë”, tha ai.