Prishtina dhe Beogradi konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në takimin e Brukselit në 16 nëntor, ku sipas BE-së do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani dhe për çështjet e hapura.

Edhe pse ka kundërthënie se për çfarë do të negociohet saktësisht këtë herë, nga zyra e kryeministrit të Kosovës thonë se janë të palëkundur për atë që do të hedhin në tryezë: çështjen e të zhdukurve, energjisë dhe lëvizjen e lirë.

Data për takimin e mundshëm për dialogun në nivel politik ndërmjet liderëve do të varet nga rrjedha e procesit dhe dakordësia për çështjet në nivel kryenegociatorësh.

Delegacioni serb i drejtuar nga Petar Petkoviç, do të vazhdojë t`i mëshojë idesë së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Autoritetet e Prishtinës janë kategorike kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ashtu siç e kërkon Beogradi zyrtar “Asociacion me kompetenca ekzekutive”, duke iu referuar marrëveshjes parimore të nënshkruar në vitin 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha para disa ditësh në një intervistë për DW-së, se “Kushtetuta e Kosovës nuk lejon Asociacion mbi baza etnike” dhe se marrëveshjen e vitit 2013, sipas tij, deputetët e Kosovës e kanë miratuar në një trysni të jashtëzakonshme ku ka munguar transparenca.

Vuçiç insiston tek ideja e Asociacionit, në të kundërt thotë, faleminderit e udha e mbarë!