Nga Mero Baze

Riçard Grenell është një ish- diplomat, që tani është biznesmen në punë të vet, kryesisht si lobist. Nuk është një profesion i ndaluar. Në SHBA, ka shumë kërkesa nga individë apo politikanë jashtë SHBA, që kanë nevojë të rehabilitohen në sytë e vendit të tyre, si njerëz me mbështetje amerikane. Ai është një lobist i Qeverisë së Vuçiqit në Beograd, për shkak të krizës që Serbia ka me SHBA, për shkak të Kosovës.

Nuk jam i sigurtë se ai ka nënshkruar ndonjë kontratë lobimi me Ilir Metën, por dhe nëse e bën, nuk është një biznes i mirë për Metën, pasi ky i fundit e ka problemin me Qeverinë amerikane, dhe Grenell është një skifter politik kundër Departamentit të Shtetit.

Emigrantja shqiptare “që po i del zot” Berishës nga SHBA, po përpiqet ta shesë atë dhe si lobist të Sali Berishës.

Kjo do të ishte një gjë shumë e mirë për shumë arsye.

E para, që së paku zoti Berisha të harxhojë ca para nga ato që u ka vjedh shqiptarëve familjarisht. Në pamundësi për t’ia marrë ato para drejtësia shqiptare, le t’ia marrë një biznesmen amerikan. Nuk është keq. Vetëm kujdes se në SHBA i duan me faturë dhe Depratamenti i Thesarit është vigjilent.

Së dyti, është një fakt domethënës që Berisha nuk gjen dot askënd për ta mbrojtur në SHBA, dhe shkon mbetet në dorë të një biznesmeni, që i rrëzon atij fabulën e shpalljes “non grata” për shkak të kundërshtimit të projektit amerikan për marrëvshjen Serbi-Kosovë.

Riçard Grenell nuk e ka të vështirë të mbrojë edhe Serbinë, edhe ndarjen e kufijëve, edhe Berishën, se në fakt nuk ka ndonjë gjë të vërtetë tek pretendimi i Berishës, por Berisha e ka të vështirë të na gënjejë duke thënë që edhe është shpallur “non grata” për shkak të marrëvshjes së projektuar Serbi- Kosovë, edhe të jetë i mbështetur nga njeriu i marrëveshjes.

Dhe së fundmi, që ka dhe më shumë rëndësi për të ardhmen e ndarjes së PD nga Berisha, kjo përpjekje qesharake e Berishës për të shpikur një SHBA tjetër, ja bën më të lehtë Partisë Demokratike ndarjen me Berishën. PD i ka raportet me SHBA, Qeverinë amerikane, Kongresin dhe Senatin, si institucione të ligjshme, ndërsa Berisha le të vendosë marrëdhënie me “foltoren” e Kokalarit në SHBA. Kështu është secili në vend të vet.

Edhe Grenelli merr ndonjë para, se biznesmen është, edhe Berisha gjen ngushëllim për ndëshkimin e tij të përjetshëm, edhe Ilir Meta ka shpresë më në fund që të udhëheqë një parti “konservatore”, nga ato që janë “kundër homoseksualëve, që prishin familjet”, duke vazhduar më tej amanetin e Berishës, i cili duhet të presë gjatë sa të fitojë foltorja në SHBA.

Vetëm se këto i duhen thënë Grenellit para se ta paraqesin si “foltorja” e Berishës në SHBA, se ai akoma e ka të freskët memorien nga puna që ka bërë dhe procedura se si shpallet një njeri në listë të zezë. Dosjen e Berishës në fakt e kanë hartuar agjencitë që ka drejtuar ai. Nuk di sa punë i bën Berishës një foto me të, por gjithsesi mund t’i shkojnë lekët dëm. Dhe kjo është prapë gjë e mirë.