Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, beson se do të jetë pothuajse e pamundur që dikush t’i përsëritë sukseset e Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos në futbollin botëror. Messi dhe Ronaldo e kanë mbizotëruar futbollin në 15 vjetët e fundit, duke fituar trofe të panumërt individualë dhe ekiporë, duke e krijuar njëkohësisht një rivalitet të paparë.

Guardiola do të përballet me Messin sot në Ligën e Kampionëve kur PSG-ja e viziton Manchester Cityn e tij në Etihad. Duke folur në një konferencë para ndeshjes të martën, Guardiola u pyet nëse mendon se në të ardhmen do të ketë mbizotërim të ngjashëm në futboll.

“Nuk mund ta paramendoj (se do të ndodhë), sepse çfarë kanë bërë këta dy do të jetë e pamundur të përsëritet”, tha Guardiola. “Mbase do ta shohim, por nuk mendoj se do të ndodhë, pra që dikush të shënojë kaq shumë gola, apo të fitojë aq shumë tituj. Është e vështirë. Mendoj se është unike në histori t’i gjesh dy lojtar si Cristiano dhe Messi”, shtoi ai.