Partia Socialiste është dakord që të pranojë kërkesën e PD-së për ngritjen e një komisioni të Posaçëm për Reformën Zgjedhore ku të adresohen të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR. Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se ky komision duhet të ngrihet sa më parë dhe është në pritje që të dorëzimit të propozimeve nga PD.

Balla tha se ka marrë kërkesë nga LSI që të jetë pjesë e komisionit.

“Kemi shumë formula ekzistuese të mënyrës së organizmit të reformës zgjedhore. Ato janë drejtuar me bashkëkryetar, ose me ndërhyrjen e palëve. Ndaj le të vijojë puna, duke respektuar edhe të gjithë përfaqësimin parlamentar që kemi në kuvendit të Shqipërisë. Në këtë këndvështrim, sapo projektvendimi të jetë gati, sapo PD të propozojë bashkëkryetarin e tyre, ne të kalojmë në Kuvend ngritjen e komisionit të posaçëm.

Propozimet kanë mbështetje prej më shumë se 28 deputetëve. Kuvendi e cakton qartë se si mbështeten nismat. Sapo të jetë plotësuar ky afat kryetrari i Kuvendit të thërrasë mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit. Në këtë dispozitë të përcaktuar nga rregullorja, të jeni të sigurt se zonja Nikolla është mbi palët dhe do të respektojë rregulloren. Ju jeni vënë në dijeni. Do të kemi sot mbledhjen e parë të Këshillit të Legjislacionit dhe ligjeve. Propozimi ynë për ndryshimet kushtetuese është propozim që është rekomanduar nga miqtë ndërkombëtar të Shqipërisë, pasi ka të bëjë me çështje teknike për vijimin e një procesi historik, siç është sistemi i vettingut”, tha ai.