Komisioneri evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi deklaroi sot se janë disbursuar 90 milionë euro ndihmë makro financiare për Shqipërinë.

Varhelyi shkruan në “Twitter” se kjo ndihmë është pjesë e programit mbështetës 180 milionë euro për vendin tonë dhe ka si qëllim të ndihmojë në kufizimin e pasojave ekonomike të pandemisë.

“Lajm i rëndësishëm për Shqipërinë! BE disbursoi sot 90 milionë euro ndihmë makro-financiare, kësti i dytë dhe i fundit prej 180 milionë euro programi mbështetës për Shqipërinë, me qëllim që të ndihmojë në kufizimin e pasojave ekonomike të pandemisë #COVID-19”, shkruan komisioneri Varhelyi.

Komisioni Evropian, në emër të BE-së, ka disbursuar sot 90 milionë euro ndihmë makrofinanciare (Macro-Financial Assistance) për Shqipërinë. Ky disbursim është kësti i dytë dhe i fundit i një programi mbështetës prej 180 milionë eurosh për Shqipërinë, i cili është pjesë e paketës prej 3 miliardë eurosh për dhjetë partnerë të zgjerimit dhe fqinjësisë që synon t’i ndihmojë ata të kufizojnë pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19. Programi është një demonstrim konkret i solidaritetit të BE-së me partnerët e saj për të ndihmuar në përgjigjen ndaj ndikimit ekonomik të pandemisë COVID-19.

Paolo Gentiloni, Komisioneri për Ekonominë, tha: “Jam shumë i kënaqur që shoh këto fonde të shkojnë sot në Shqipëri. Ky disbursim është një demonstrim i solidaritetit të BE-së me popullin shqiptar, por edhe i angazhimit të Shqipërisë për të përmbushur axhendën e rëndësishme të reformave të rënë dakord me Komisionin Evropian.
Disbursimi i parë prej 90 milionë eurosh për Shqipërinë në kuadër të këtij programi të Macro-Financial Assistance u bë në mars 2021. Shqipëria ka përmbushur kushtet e politikës së rënë dakord me BE-në për lirimin e këtij disbursimi të dytë dhe të fundit prej 90 milionë eurosh në kuadër të programit Macro-Financial Assistance
COVID-19. Këto përfshijnë masa të rëndësishme për të forcuar financat publike dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar, për të përmirësuar qeverisjen dhe për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur mbrojtjen sociale.

Ndihma makrofinanciare është pjesë e angazhimit më të gjerë të BE-së me partnerët fqinjë dhe të zgjerimit dhe synohet si një instrument i jashtëzakonshëm për reagim ndaj krizave. Ai është në dispozicion të partnerëve të zgjerimit dhe fqinjësisë së BE-së që po përjetojnë probleme të rënda të bilancit të pagesave. Ajo demonstron solidaritetin e BE-së me këta partnerë dhe mbështetjen e politikave efektive në një kohë krize të paprecedentë.

Vendimi për t’i dhënë ndihmë makrofinanciare dhjetë partnerëve të zgjerimit dhe fqinjësisë në kontekstin e pandemisë COVID-19 u propozua nga Komisioni më 22 prill 2020 dhe u miratua nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli më 25 maj 2020.

Përveç ndihmës makrofinanciare, BE-ja mbështet partnerët në politikën e saj të fqinjësisë dhe Ballkanin Perëndimor përmes asistencës dypalëshe dhe rajonale, programeve tematike, ndihmës humanitare, lehtësirave dhe garancive nga Fondi Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm (EFSD dhe EFSD+) për të mbështetur investimet në sektorët më të prekur nga pandemia e koronavirusit.