Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se numri i rasteve të reja me COVID-19 u rrit javën e kaluar në shkallë globale dhe se Evropa ka njoftuar rritjen më të madhe të infeksioneve për të pestën javë radhazi.

Në raportin epidemiologjik për javën që përfundoi më 31 tetor, OBSH-ja tha se bota pa një rritje prej tre për qind të rasteve të reja, e kryesuar nga Evropa, me rritjen më të lartë prej gjashtë për qind, pasuar nga Amerika me një rritje prej tre për qind dhe zona e Paqësorit perëndimor, me një rritje prej dy përqind.

Raporti i OBSH-së tregon se pjesa tjetër e rajoneve të botës panë ulje të rasteve dhe zona e Mesdheut lindor pati rënien më të madhe me 12 përqind dhe Afrika dhe Azia Juglindore nëntë përqind secila.

Rritja e vazhdueshme e infeksioneve me COVID-19 në Rusi kontribuoi në numrin e lartë të rasteve të reja në Evropë. Grupi shtetëror i punës për koronavirusin në vend raportoi të mërkurën 40,443 raste të reja të konfirmuara dhe 1,189 vdekje, të dyja rekorde të reja për numrin e përgjithshëm ditor që nga fillimi i pandemisë. Kjo shënon herën e pestë në shtatë ditë që Rusia ka vendosur një rekord për raste të reja ditore.

Ndërkohë, OBSH njoftoi gjithashtu të mërkurën se ka miratuar vaksinën Covaxin për COVID-19 për përdorim urgjent. Covaxin është vaksina e parë e prodhuar nga India që merr këtë autorizim.

Në një deklaratë, OBSH-ja thotë se Grupi i saj Këshillimor Strategjik i Ekspertëve për Imunizimin, rishikoi vaksinën me dy doza dhe e rekomandoi atë për përdorim në grupmoshat 18 vjeç e lart. Grupi Këshillimor arriti në përfundimin se Covaxin kishte 78 për qind efektivitet kundër simptomave të COVID-19, 14 ose më shumë ditë pas dozës së dytë.

Grupi këshillues i OBSH-së arrit në përfundimin se vaksina ishte jashtëzakonisht e përshtatshme për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme për shkak të ksuhteve të thjeshta për ruajtjen e saj. Miratimi gjithashtu do të thotë që vaksina të përfshihet ndër ato që përdor mekanizmi COVAX që menaxhohet nga OBSH për shpërndarje globale.

Ndërkohë, Revista e Shoqatës Mjekësore Amerikane (JAMA) publikoi të martën rezultatet e një studimi të gjerë që tregon se vaksina Johnson & Johnson COVID-19 është pothuajse 74 për qind efektive për t’u mbrojtur nga sëmundja. Studimi u krye nga klinika prestigjioze Mayo në Minesota.

Studiuesit sugjerojnë që amerikanët të vaksinohen me vaksinat me dy doza Pfizer ose Moderna, të cilat janë zhvilluar duke përdorur teknologjinë me mRNA dhe janë konfirmuar të kenë një shkallë më të lartë efektiviteti se Johnson & Johnson të zhvilluar përmes teknologjisë tradicionale të bazuar tek virusi.