Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi të martën se një sfidë tjetër po pritej në përpjekjen për të vaksinuar planetin si rezultat i mungesës së shiringave.

Pritet të ketë një mungesë prej 1 deri në 2 miliardë shiringa vitin e ardhshëm, njoftoi sot specialistja e OBSH-së, Lisa Hedman.

Vendet më të varfra, të cilat shpesh bëjnë porosi të vogla dhe për këtë arsye nuk kanë përparësi me prodhuesit, mund të preken më tepër.

OBSH-ja u bën thirrje vendeve që të planifikojnë përpara dhe të porosisin në sasi të mëdha, nëse është e mundur, dhe t’i kushtojnë vëmendje asaj kohe gjashtëmujore që shpesh është e nevojshme për prodhuesit.

Në një vit normal, në mbarë botën kryhen 16 miliardë injeksione, sipas vlerësimeve të OBSH-së.

Para pandemisë, vaksinimet përbënin 5 deri në 10 përqind, ose deri në 1.6 miliardë. Por 6.8 miliardë doza shtesë të vaksinës Covid-19 janë dhënë në mbarë botën, duke rritur ndjeshëm kërkesën për shiringa, sipas vlerësimeve të OBSH-së.

Shiringat për vaksinimin ndryshojnë nga ato për qëllime të tjera. Ato zakonisht kanë një mekanizëm që siguron përdorimin e tyre vetëm një herë.

Sipas vlerësimeve të OBSH-së, prodhuesit mund të prodhojnë rreth 6 miliardë shiringa në vit. Vendet më të mëdha të eksportit janë India dhe Kina. Kërkesa e vitit të ardhshëm mund të jetë katër deri në shtatë herë më e lartë se kërkesa mesatare para pandemisë.

“Nëse nuk ka shiringa të mjaftueshme për vaksinat, mund të duhet të anashkalohen ndërhyrjet rutinë si ato kundër fruthit, shytave dhe rubeolës”, tha Hedman.