Organizata Botërore e Shëndetësisë ka miratuar përdorimin emergjent të vaksinës anti-Covid të prodhuesit indian Bharat Biotech. “Grupi Këshillimor Teknik ka deklaruar se vaksina Covaxin plotëson standardet e OBSH-së për mbrojtjen kundër Covid-19, dhe se përfitimi i vaksinës tejkalon rreziqet”, tha OBSH në një postim në Twitter. Grupi këshillues i OBSH-së pritej të merrte një vendim për vaksinën e njohur si Covaxin javën e kaluar, por kërkoi të dhëna shtesë nga Bharat Biotech përpara se të kryente një vlerësim përfundimtar për përdorimin global të vaksinës.

Covaxin u rishikua gjithashtu nga Grupi Strategjik Këshillimor i Ekspertëve të Imunizimit të OBSH-së, i cili rekomandoi përdorimin e tij në dy doza, me një interval prej katër javësh, në të gjitha grupmoshat mbi 18 vjeç. Covaxin është vaksina e shtatë që ka marrë miratimin e OBSH-së pas dy vaksinave të mRNA nga Pfizer/BioNTech dhe Moderna, vaksinave vektoriale adenovirus të zhvilluara nga AstraZeneca dhe Johnson & Johnson dhe vaksinave të të Kinës nga Sinovac Biotech dhe Sinopharm.