Nga Plator Nesturi

Zhvillime të vrullshme po ndodhin në rajon dhe të gjitha këto, që nga vizitat e shpeshta për të testuar vijimësinë e pozicionimeve gjeopolitike e deri në projektet ekonomike për ta mbajtur të unifikuar përkatësinë në kampin demokratik perëndimor, po shkundin shumë nga politikat e vjetra e arkaike ballkanike drejt qasjeve të reja. Tashmë rajoni nuk shihet më nga perëndimi si një bashkësi vendesh që janë të gatshëm të shqyejnë njëri tjetrin dhe ku marrëdhëniet miqësore vendosen me shtete të veçanta. Rajoni po shihet si një i tërë, ku përkatësisë së grupimit i shtohet bashkëpunimi midis vendeve dhe popujve ballkanikë për të krijuar një të ardhme të përbashëkët, më prospere dhe në interes të të gjithëve. Një bashkëpunim që më së pari ka të bëjë me ekonominë, dhe ku shtimi i gravitetit prej krijimit të një tregu të përbashkët do të sillte investime më të mëdha dhe mundësi më të mëdha zhvillimi për të gjithë. E parë në dy linja, si nga BE ashtu dhe nga SHBA, së fundmi bien në sy vizitat në vende të rajonit të Kryeministrit të Hollandës, në Greqi dhe Shqipëri, si dhe i dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar që vizitoi Bosnje Hercegovinën. Në të dyja rastet vëmendja kryesore ka të bëjë jo thjesht me rreshtimin në një botë plot antagonizëm ku ndërthuren dhe interesat e shteteve të tjeër si Kina, Rusia apo me gjerë. Por së pari dhe me ecurinë ekonomike të rajonit dhe ku po i vihet theksi i mbështetjes Ballkanit të Hapur si një projekt që do të kontribuojë në vlerat e përbashkëta dhe të zhvillimit ekonomik të gjithësecilit nga vendet ballkanike, bashkëpunim që kontribuon gjithashtu dhe në zbutjen e armiqësive, mosbesimit dhe mendësisë bllokuese. Nëse këto kapërcehen dhe e ardhmja e përbashkët bëhet më e prekshme dhe mbi baza më të sigurta.

Ballkani u la në gjak për 10 vjet nga luftërat në ish Jugosllavi, pose e ardhmja nuk mund të mbetet peng i mizorive të së shkuarës. Gjeneratat e reja kërkojnë një vend në kohët modern, ku të ndërtojnë të ardhmen e tyre, në një vend dhe shoqëri të hapur, në një mjedis me mundësi të barabarta dhe jo një shtet të izoluar, ku jetohet me të shkuarën e pushkës e jo me mendësitë moderne ku zhvillim do të thotë ndërveprim mbi baza besimi. Pikërisht për këtë Escobar në qëndrimin e tij në Bosnje Hercegovinë shprehu dhe pikëpamjen e tij për “Open Balkan”. Ai tha se Ballkani Perëndimor është Europë dhe se mbështet nismën “Ballkan i Hapur” dhe gjithçka që bashkon rajonin ekonomikisht. Madje Escobar e quajti një shans për të gjitha vendet e Ballkanit duke theksuar se mesazhi i fundit është se politikanët duhet të fokusohen në vizionin amerikan dhe rajonal të zhvillimit ekonomik. “ Mbështetja jonë është mbështetja për gjithçka që bashkon rajonin ekonomikisht, që zhbllokon potencialin ekonomik të njerëzve në Ballkanin Perëndimor. Serbët, kroatët, shqiptarët, boshnjakët, ata kanë sukses kudo në botë, unë dua që ata të kenë sukses këtu”, deklaroi Escobar.

Por ajo që tërheq vëmendjen në vizitën e të dërguarit Special në Ballkanin Perëndimor është përmendja se do të ketë një valë të dytë të shpalljes së personave non grata nga Departamenti i Shtetit. Escobar ndërsa ndodhej në Bosnje Hercegovvinë e përmendi këtë fakt për realitetet në këtë vend ballkanik dhe se shpallja non grata do të prekte të gjithë ata politikanë që shprehen kundër marrëveshjes së Dejtonit. Por kjo deklaratë gjen sinergji në reaitetin shqiptar nga Mabasadorja e SHBA në Tiranë në një interevistë televizive. Duket se ka një sinkronizim jo vetëm në deklarata por dhe në një aksion të mirëmenduar çka shpreh një vëmendje të vëçantë të SHBA-ve ndaj rajonit të Ballkanit. Deklarata e Zjn. Kim për saksione të reja ndaj politikës së korruptuar nëpërmjet listave non grata, bëhet në një kohë kur vëmendja mediatike në vend është përqëndruar tek zhvillimet në PD, foltorja e Berishës dhe përpjekja e ish kryeministrit që nga moria e problematikave që ka PD, të tentojë të nxjerrë se halli kryesor i PD qenka shpallja non grata e Berishës.

Deklarata se do të kemi sërish një listë me emra non grata, ku do të jenë politikanë por dhe bisnese të lidhura në mënyrë abusive me politikën, është tregues se plani amerikan për Ballkanin në tërësi dhe për Shqipërinë si pjesë e saj është në veprim dhe aktiv. Dhe ky process ecën pavarësisht se dikush humb kohë me foltoren apo se nëpërmjet saj mendon se mund të bëjë presion për të lehtësuar kushtet e veta. Madje mund të ndodhë e kundërta, siç u shpreh dhe ambasadorja e SHBA. Zbutje dhe tërheqje nga vendimi Non grata jo vetëm nuk do të ketë, por nëse thellohet ky process, nga ku vetë Berisha mund të rishkojë në krye të partisë, kjo do të bënte pis vetë PD dhe do të kushtëzonte marrëdheniet e SHBA me këtë parti. Por e gjitha kjo është një thirrje dhe për vetë opinionin publik shqiptar për tu orientuar drejt të tjera realiteteve nga ku synohet një e ardhme më e zhvilluar dhe pa humbur kohë me realitete të vjetra, aq më tepër me personazhe të së shkuarës me plot dritë hije, epoka e të cilëve është tretur me kohë. Në Ballkan po fryjnë erëra të reja dhe në si shtet e ekonomi thjesht na duhet të mbajmë ritmin dhe orientimin që i shërben së pari interesave tona. Për një sërë faktorësh jemi vendosur në rreshtin e parë të zhvillimeve dhe për herë të parë nuk na presin të tjerët të futemi në grupin e tyre. Një mundësi e artë për të përcaktuar që në fillesë prioritetet tona dhe prej nga faktorizimi si popull me kontribut ndërparësor në zhvillimet rajonale na hap rrugën drejt destinacioneve të reja. Veç për këtë duhet thjesht mendje e hapur dhe jo harxhim kohe me produktet e mykura të së shkuarës.