Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka dalë në konferencë për mediat ku ka bërë të ditur se është emetuar Eurobondi për Shqipërinë me vlerën 650 milionë euro. Në fjalën e saj, tregoi nëse janë përcaktuar prioritete dhe projekte specifike se ku do të shpenzohen këto para dhe si do ti rikthehen ekonomisë.

Ibrahimaj tregoi se Eurobondi do të përdoret për mbështetje buxhetore që lidhet me projekte madhore që qeveria shqiptare ka gjatë vitit në vijim që lidhet me projektet e mëdha infrastrukturore dhe për mbështetje në sektorë si shëndetësia, arsimi apo reforma të tjera.

Ibrahimaj: Eurobondi do të shkojë për të financuar nevojat e buxhetit për këtë vit dhe për vitin 2022, kryesisht pjesa më e madhe e tij do të mbetet për vitin 2022. Nevoja dhe puna për dalje në tregje këtë vit u bë intensive pasi është shumë e rëndësishme që ne nuk e shtymë, ndonëse mund ta kishim shtyrë për shkak të nevojave të likuiditetit pasi qeveria shqiptare këtë vit ka pasur një performancë shumë të mirë në të ardhura, ne vendosëm që të dalim tani me qëllim që të sigurojmë këto norma interesi të ulëta, të cilat arritëm t’i siguronim. Eurobondi do të përdoret për mbështetje buxhetore që lidhet me projekte madhore që qeveria shqiptare ka gjatë vitit në vijim që lidhet me projektet e mëdha infrastrukturore dhe do të vazhdojmë të financojmë për vitet në vijim. Lidhet me nevojat që qeveria shqiptare ka për mbështetje të sektorëve kryesorë si shëndetësia, arsimi, bujqësia, pra do të përdoret për reformat madhore që qeveria ka.