Shfaqja e zakonshme bëhet përballje. Si në poker, lojë shumë popullore në kazinonë e Venecias, Josè Mourinho nxjerr të gjitha kartat dialektike që ka për të shpjeguar humbjen e katërt në shtatë ndeshjet e fundit. Në kartonin e parë është arbitri Aureliano, në të dytin limitet e grupit të lojtarëve të Romës, në të fundit gazetarët. Duhet nisur nga niveli i skuadrës (“por unë nuk e akuzoj klubin”) për të kuptuar perspektivën e Mourinhos.

Fjalët e tij janë aq të forta, sa dridhen direkët e varkave të ankoruara pranë stadiumit të Venezia: “Unë nuk jam një trajner që di të ndërtojë, jam një trajner që duhet të reagojë. Kështu duhej vepruar edhe nga pronarët në merkato, kur humbëm Dzekon dhe Spinazzola. E vërteta është se ekipi vjen nga vendi i shtatë dhe nuk është më i fortë se sezonin e kaluar.

Janë larguar lojtarë me eksperiencë, si Bruno Peres dhe Juan Jesus, të cilët do të ishin të dobishëm në stol. Në Venezia kam pasur dy mbrojtës, si Reynolds dhe Tripi. Si mund ta zëvendësoja Karsdorpin, i cili u ndëshkua me karton të verdhë dhe u lëndua? Të thuash që vendi i katërt është qëllimi nuk do të thotë se jemi vërtet në vendin e katërt”.

Në fakt, fjalia më shqetësuese për tifozët e Romës vjen menjëherë më pas: “Nënshkrova një kontratë 3-vjeçare. Kjo mund të jetë një stinë e dhimbshme, për trupin dhe shpirtin, por është e rëndësishme të kuptoj gjërat që nuk i dija më parë. Sot nuk kemi një ekip të balancuar, sepse nuk kemi dy lojtarë me potencial të ngjashëm për të njëjtin pozicion. Përtej vështirësive, megjithatë, do të synoj Ligën e Kampionëve për aq kohë sa më lejohet aritmetikisht”.