Gareth Bale ka një lidhje të madhe shpirtërore me Uellsin, atdheun e tij. 99 herë e ka veshur fanellën e kombëtares 32-vjeçari i Real Madrid, duke ia dalë të dërgojë topin në rrjetë në 36 raste.

Agjenti i tij, Jonathan Barnett ka zbuluar një prapaskenë interesante për Daily Mirror. Ai guxoi një moment t’i propozonte lojtarit ofensiv të luante për Anglinë, ide që u prit keq nga Bale.

“Që ditën e parë që e takova atë dhe babanë e tij, ai ma shprehu qartë se sa e rëndësishme është fanella e Uellsit për të.

Kur i thashë që ekzistonte mundësia të luante për Anglinë, ai më ulëriti: ‘Mos ma thuaj më një gjë të tillë nëse do të vazhdosh të jesh agjenti im’.

Gareth është një uellsian fanatik. Mbërritja në Katar 2022 me kombëtaren do të ishte kurorëzimi i tij”, deklaroi menaxheri i Gareth Bale.

Uellsi ndan vendin e dytë me Çekinë në grupin E, por ka luajtur një ndeshje më pak se kombëtarja çeke, ndërsa Belgjika kryesuese ndodhet 5 pikë larg.