Nga Ylli Pata/ Është një triller më vete, që natyrisht kërkon mjaft studim për ta kuptuar, se si mbështetësit më të ethshëm të Sali Berishës dhe Ilir Metës në Tiranë, u bënë jo thjeshtë partizanë, por enturazh i Albin Kurtit.

Kreu i Vetëvendosjes, nuk se ka pasur një afërsi apo kimi me qarqet e vjetra të politikës shqiptare, edhe pse lidhjet nuk kanë munguar.

Thelbi i ideologjisë së Vetëvendosjes, sidomos në lulëzimin e saj, gjetën një terren natyral tek socialistët dhe Edi Rama, edhe për formimin e Kurtit, i cili ishte një politikan i artikuluar që u vlerësua nga kryeministri shqiptar në vizitën e tij të parë në Kosovë pas zgjedhjes.

E kjo kimi e Vetëvndosjes me socialistët shqiptarë, duket se erdhi edhe natyrshëm, sidomos pas një akrobacie të Hashim Thaçit, që Partinë tij Demokratike të Kosovës, ta zhvendosë nga Partia e Socialistëve Europiane tek Partitë Popullore Europiane. Pra nga e majtë, ta bëjë të djathtë, ndryshim që ndodhi që nga 2012-a. Kurse VV hyri në PES dhe këtu loboi edhe PSSH-ja e Edi Ramës.

Megjithatë, edhe pas kësaj akrobacie politike të Thaçit, që dukshëm synonte thithjen e votave të LDK-së në Kosovë, marrëdhënia ndërmjet PS-së dhe PDK-së nuk u venit asnjëherë, pasi ai relacion u nis që në kohën e UÇK-së.

E që Edi Rama, prej kur ishte në opozitë, në një intervistë për gazetën “Zëri” në Kosovë në vitin 2012, deklaroi se “ne me PDK-në kemi marrëdhënie vllazërore”.

Kjo marrëdhënie e Ramës me Thaçin, që dukshëm kishte rrënjë të hershme, ndoshta që nga fushata e parë elektorale e PDK-së(viti 2000), ku u fol se disa fjalimet e Hashimit i përgatit ministri i Kulturës së Shqipërisë, vijoi të mbetej e fortë, edhe pas miqësisë së kryeministrit shqiptar me Albin Kurtin.

Por krejt papritur, në verën e vitit 2019, nisi të mbruhej në televizionet apo panelistët pranë Sali Berishës e Ilir Metës në Tiranë, teoria e “tradhëtisë së Kosovës nga Edi Rama dhe Hashim Thaçi”.

Ishte fiks pas fiaskos së opozitës shqiptare për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, ku desh u dogj vendi për të rrëzuar Ramën.

Që nuk e bënë natyrisht, por në Berlin, përballë Angela Merkel e Emanuel Macron, Ramush Haradinaj refuzoi një ofertë që do t’i kushtonte shumë Kosovës më pas. Bëhej fjalë per skandalin e taksës 100%. Dëshmitarë të asaj ngjarje, ishin edhe Edi Rama e Hashim Thaçi.

Ramushit i ishte bërë lavazh truri nga njerëzit e Berishës e Metës në Tiranë, se nëse do të refuzonte Merkel e Macron, ai do të bëhej parti e parë e Kosovës në zgjedhjet e reja parlamentare të tetorit 2019. Madje televizioni I familjes Berisha citoi disa here se ka sondazhe që e rendisin të parin Ramush Haradinajn- pra AAK-në si parti. Një sondazh të tillë ja kishin përgatitur edhe Agim Çekut në 2006-n kur ishte kryeministër, por përpos ilaritetit e gallatës në mjediset mediatike të Prishtinës, ai sondazh nuk solli pasojë tjetër.

Si pasojë e këtij “lavazhi” që nuk dihet çfarë forme ka qenë, përveç Ramushit, edhe Albin Kurti hyri papritur në klubin e Sali Berishës dhe Ilir Metës.

E çuditërisht, për herë të parë në historinë e tij si politikan Kurti u fut në zyrën ku punonte Berisha, ndërkohë që e kishte sulmuar politikisht për mbi 20 vite.

Pas Berishës, Albini takoi edhe Ilir Metën, si dhe enturazhin panelik e mediatik të këtyre dy “yjeve” të “ndritshëm” të politikës shqiptare që “aq shumë duhen nga publiku”.

E pas këtyre takimeve, krejt papritur e ethshëm, nisi dashuria e ambjentit berisho-metist për Albin Kurtin. Madje kjo dashuri është një material për psikologët, ngaqë kishte disa faza e mënyra të ndryshme shprehje. Në fillim, Vetëvendosjen e pëlqyeu i gjithë mjedisi i dy “dinosaurve”, më pas “Jurasic-ët shqiptarë” patën një evolucion darvinian të species.

Disa mbeten siç janë edhe sot: të betuar pas Albinit, një pjesë janë të ftohtë, kurse të tjerë, kryesisht njerëz të afërt të Ilir Metës u zhgënjyen me Kurtin pas armiqësisë së tij me Donald Trumpin.

E gjithë kjo atmosferë është kaq artificiale, madje shumë komike, ngaqë shumë prej këtyre personazheve as e njohin Vetëvendosjen, as Albin Kurtin, as mjedisin politik të Kosovës, e ka gjasa as gjeografinë e saj.

Gjithsesi le të vijmë tek çështja: kur Albin Kurti fitoi më 6 tetor 2019 së bashku me LDK-në kundër Hashim Thaçit, dalldia në Tiranë qe jo e madhe, por “folklorike”.

U bënë marshime, takime, Albinit ju tha të rrisë degën e tij në Shqipëri, e madje të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Siç dihet tashmë, Albini u rrëzua nga kryeministër, e pas një viti fitoi edhe më shumë, e si kryetar i qeverisë së Kosovës hyri në zgjedhjet e Shqipërisë, ku jo vetëm votoi(çka ishte çudi e madhe) por edhe mbështeti kandidatët e tij në një shtet tjetër, por që në fund të fundit nuk solli gjë të re.

Pas kësaj, “trusti albinist i Tiranës” pësoi një konfigurim traumatik. Një pjesë mbetën “krejt e drejt” me Albinin, ca ishin skeptikë që nisën të drejtoheshin sërish nga LDK, të tjerë iu rikthyen të egër ndaj Vetëvendosjes, duke e cilësuar marksiste.

Në zgjedhjet e 2019-s, patëm një dalldi albiniste në Tiranë, thuajse ai do të sillte rikthimin e Berishës e Metës në pushtet.

Madje kur Albin Kurti u konfliktua me SHBA, fishekzjarret e panelistëve arritën majën, derisa entuziazmi ra dhe sot kemi maksimumi vëtëm 2 mbështetës të tij prej emisioneve politike: Andi Bushatin dhe Spartak Ngjelën. Natyrisht të dy nga pozicione të ndryshme, e ndoshta edhe nga këndvështrime të ndryshme, por fakt është që siç u nis nuk u bitis ky “kor burrash” që u shfry si një tollumbace me helium….