Sot në ambientet e kryeministrisë u organizua ceremonia e dhënies së Medaljeve të Arta për gjimnazistët e shkëlqyer të viteve të kaluara.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi maturantët e viteve të kaluara dhe prindër.

Në fjalën e saj Ministrja Kushi tha se: “nxënësit dhe studentët që studiojnë jashtë vendit na bëjnë shumë krenarë njësoj si ju, por një nga sfidat më të mëdha të momentit është që të rinjtë shqiptarë, e sidomos ata më të mirët, të vazhdojnë të studiojnë e jetojnë këtu në Shqipëri”.

Ajo shtoi më tej se për të realizuar këtë synim, në bashkëpunim me universitetet shqiptare, po punohet fort për të rritur cilësinë e arsimit të lartë, duke sjellë universitetet më të mira këtu, duke hapur programe studimi të përbashkëta apo të dyfishta, me qëllim që diploma e studentëve tanë të këtë vlerë njësoj si diplomat e studenteve në BE,

“Ne kemi detyrimin të ofrojmë sa më shumë mundësi punësimi për ju, e jo vetëm për ju ekselentët, por edhe çdo të ri e të re, duke u bazuar gjithmonë në meritokraci e transparencë”- u shpreh ministrja.

Duke falënderuar edhe prindërit e këtyre maturantëve të shkëlqyer, Znj. Kushi shtoi se këta të rinj shërbejnë si këshillë për vetë ministren.
“Ju me bëni më të përgjegjshme, më frymëzoni, më bëni të besoj se ia vlen të punoj çdo ditë nga ora 7 e mëngjesit deri në mbrëmje vonë, ia vlen të mos kem fundjava pushim. Nuk e di sa mund t’ia dal, por di që ia vlen çdo sakrificë, për ju dhe të gjithë fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë”- ka përfunduar ministrja Kushi.