Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale publikoi sot mesazhin e kampionit të Bodybuilding Marin Meksi, i cili u bën apel të rinjve të vaksinohen kundër COVID-19.

“Të rinj vaksinohuni! Unë i vaksinuar me dy doza, arrita të mbrohem dhe të shpallem kampion i shumëfishtë dhe absolut në Kampionatin MbarëKombëtar të Bodybuilding dhe Fitness në mes të Pandemisë. Vaksinimi e vetmja zgjidhje”, apelon ai.

Gjithashtu ai solli dhe eksperiencën e hidhur me pandeminë të cilën e kishte përjetuar me nënën e tij por falë vaksinimit ajo tani gëzon shëndet të plotë.

“Siç e dimë pandemia pllakosi gjithë botën. Në familjen time u përjetua jashtëzakonisht shumë për arsye të patalogjisë që ndodhi me nënën time. E vetmja zgjidhje ishte vaksinimi. Me vaksinimin arritëm të shpëtonim nënën time”, shprehet ai.

“Mendoj dhe sugjeroj për të gjithë të rinjtë që të vaksinohen me të dyja dozat. Vaksinimi është zgjidhja e vetme, t’i lëmë dhe t’i harrojmë të gjithë teoritë konspirative. Nuk ka zgjidhje tjetër veç vaksinimit të sigurt”, përfundon mesazhin e tij Meksi.