Ambasada amerikane në Prishtinë tha të premten se më shumë se 100 shtetas afganë që ishin strehuar përkohësisht në Kosovë, u nisën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Mëngjesin e sotëm, fluturimi i katërt u nis nga Kosova me mbi 100 afganë, të cilët së shpejti do të fillojnë një jetë të re në SHBA”, thuhet në një postim të ambasadës amerikane në rrjetet sociale, në të cilin ajo falënderon Kosovën për “bujarinë dhe për mikpritjen e afganëve”.

Zv/ndihmës sekretarja amerikane e shtetit në byronë për Çështje Evropiane dhe Euro-Aziatike, Molly Montgomeri, falënderoi të enjten presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, për bashkëpunimin dhe mbështetjen në strehimin e qytetarëve afganë që kishin punuar për Shtetet e Bashkuara, para tërheqjes nga Afganistani.

Mbi një mijë e 300 shtetas afganë u strehuan në Kosovë që nga fundi i muajit gusht, si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i shpëtuar ata nga dhuna në Afganistan.

Gati gjysma e tyre janë larguar nga Kosova, e cila ishte zotuar se do të strehojë rreth 2 mijë shtetas afganë.