Ministri i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut Kreshnik Bekteshi njoftoi të mërkurë se në vend do të shpallet gjendje krize në sektorin energjetik.

Ai deklaroi ky do të jetë propozimi i tij në mbledhjen e qeverisë, javën e ardhshme.

“Do të shpallet gjendje krize në sektorin energjetik, me të vetmin qëllim që të mund të injektohen mjete buxhetore, drejtpërdrejt në kompanitë energjetike në vend duke përfshirë këtu elektranat e Maqedonisë dhe MEPSO-në për të rritë likuiditetin e tyre”.

“Veç është publikuar urdhëresa, gjatë ditës së nesërme dhe të premten do të kemi takime me anëtarët e komisionit të cilët janë paraparë në kuadër të urdhëresës për shpalljen e gjendjes së krizës, dhe unë si ministër i Ekonomisë, në seancën e parë të Qeverisë, e cila parashihet të jetë ditën e martë, do t’i propozojë Qeverisë që të shpallim këtë gjendje krize”, theksoi ministri Bekteshi.

Ai shtoi se për momentin nuk parashikohet të ketë masa kufizuese.